Kryebashkiaku i Shkodrës dhe njëherazi kandidati i opozitës për zgjedhjet e 14 majit në këtë bashki, Bardh Spahia,i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me garën elektorale sa i përket zgjedhjeve vendore të 14 majit për bashkinë e Shkodrës.
Spahia deklaroi se posti i kryebashkiakut të Shkodrës është i vetmi post që nuk është nën kontrollin e kryeministrit shqiptar, ndërsa shtoi se është e kotë të diskutohet me terma bashkëpunimi nëse shohim faktet.
Sipas tij që prej marrjes së detyrës si kryebashkiak ka dorëzuar 50 projekte për financim nga qeveria dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje për to.
“Është i vetmi post në vend, posti i krye bashkiakut të Shkodrës që nuk është nën kontrollin e kryeministrit shqiptar. Është e kotë të diskutojmë me terma bashkëpunimi nëse shohim faktet. Janë paraqitur 42 projekte për investim dhe vetëm 4 prej tyre janë financuar. Nga marrja e detyrës nga unë janë paraqitur 50 projekte të mirë studiuara dhe kemi marrë zëroi prej tyre, as përgjigje nuk kemi marrë.
Këtu duhet të japin përgjigje ata që vendosën në pikëpyetje bashkëpunimin. Nuk ka një dalje timen ku të mos kem qenë i hapur për bashkëpunimin me shtetin për financimet e projekteve në të mirë të Shkodrës.
Me marrjen e pozicionit si kryetar i bashkisë unë jam zhveshur nga politikë bërja aq sa është e mundur. Ne nuk jemi të vendosur por të zgjedhur me votë të lirë. Nëse kryeministri mendon se mund të komandojë edhe dëshirën e qytetarëve të Shkodrës ka shkuar përtej pozitës së Enver Hoxhës.
Më vjen të bëj fushatën me një fjali. Ku e ka penguar bashkia Shkodër kryeministrin në një tentativë për investim që ka dashur të bëjë? Ne jemi në gjendje ta kthejmë Shkodrën në një pikë referimi në rang kombëtar dhe rajonal”, u shpreh ai.