Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) sot në një konferencë për media pritet ta shpallë çmimin e ngrohjes. KRRE thotë për MIA se paraprakisht pritet të mbahet seanca në të cilën do të merret vendimi. KRRE po ashtu ka konfirmuar se shumica e kompanive kanë kërkuar rritje të çmimit deri në 50 për qind, ndërsa disa prej tyre kanë kërkuar edhe ulje, si EMV prodhimi dhe EMV Energjetika.
“Është e rëndësishme të theksohet se çmimi mesatar i gazit këtë vit është dukshëm më i ulët në krahasim me vitin e kaluar, por nga ana tjetër nuk do të ketë subvencione nga ky sezon ngrohjeje. Analizat janë në vazhdim. Sot pritet të mbahet seanca kryesore ku do të merret vendimi. Meqë ra fjala, më shumë se 90 për qind e banorëve të Shkupit marrin ngrohje nga EMV-ja shtetërore, e cila bashkon tri kompani filiale me furnizim, prodhim dhe shpërndarje, e këtu përfshihen edhe ngrohtorja “Shkup Veri” dhe Energjetika, theksojnë nga KRRE. Sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor dhe zgjat deri më 15 prill. 63.000 amvisëri janë kyçur në sistemin e ngrohjes në Shkup. Prej tyre, 58,000 janë në sistemin EMV ose ish-BEG, 1,900 janë në sistemin e ngrohjes së Hekuranës dhe 400 familje janë të kyçura në “Ngrohtorja Shkup-Veri.
Burimi: tv21