Shakhtar Donetsk është bërë flamuri i Ukrainës. Prania në Champions League, në mes të luftës me Rusinë, është një burim krenarie dhe merr një ngjyrim patriotik. “Unë jam krenar për këtë ekip. Për mua ata janë heronj,” – deklaron Darijo Srna.
Ish-mbrojtësi i djathtë kroat, tashmë Drejtor Futbolli te Shakhtarit, flet për dramën njerëzore dhe futbollistike që ka sjellë lufta e tretë e jetës së tij: “Në vitin 1991, në Kroaci, në 2014 në Donetsk dhe tani në mbarë Ukrainën”.
Fillimi i luftës e kapi Shakhtarin në befasi: “Fillimi ishte një fatkeqësi. Ne ishim në Kiev me ekipin dhe u kujdesëm të organizonim gjithçka, veçanërisht me lojtarët e huaj. Disa u larguan me makinë, të tjerët me tren…”, – kujton ai.
Një skenë që, në mënyrë të pashmangshme, të kujton atë që ndodhi tetë vjet më parë, kur u desh të largoheshin nga Donetsku për shkak të “Luftës së Dombásit”. Në fakt, stadiumi “Donbass Arena”, që i përket Kategorisë Elite të UEFA-s, u shkatërrua nga bombardimet.
“Në vitin 2014 na u desh të largoheshim nga Donetsku, shtëpia jonë, stadiumi, qyteti ynë sportiv dhe kemi tifozët tanë në të gjithë botën. U transferuam në Kiev dhe sapo u përshtatëm, filloi një luftë tjetër. Është e vështirë të shpjegosh jetën tonë që atëherë e deri më sot”, vijon më tej Srna.
Një mërgim i detyruar, që për fat të keq, po përjeton një episod të ri. “Ne jemi një skuadër pa adresë (pa seli fikse) dhe kjo është më e dhimbshmja. Kemi luajtur në Lviv, në Odessa, në Kharkov, tani Ligën e Kampionëve në Varshavë… Vajza ime më merr në telefon dhe se një ditë do të jem në Kiev, ditën tjetër në Londër… Ndonjëherë zgjohem dhe nuk e di se ku jam”, – shpjegon drejtori i futbollit i Shakhtar Donetskut.
Megjithatë, ajo që e lëndon më shumë Srnan është përkrahja inekzistente e qeverisë botërore të futbollit: “UEFA, përmes Ceferinit, bëri gjithçka që mundi për të na ndihmuar ne dhe futbollin ukrainas.
FIFA, nga ana tjetër, na shkatërroi. Ajo nuk na mbrojti në asnjë moment. Nëse Reali i Madridit, Sevilla, Barcelona apo Bayern do të ishin në situatën tone, jam i sigurt se do t’i kishin ndihmuar shpejt.
Edhe ne jemi një ekip dhe i kemi dhënë shumë futbollit evropian gjatë 20 viteve të fundit. Do të doja që dikush nga FIFA të vinte në Ukrainë, të jetonte me ne dhe ekipet e tjera dhe të ndiente se çfarë është si të jetosh me sirena dhe bomba”.