Me ngritjen simbolike të parmakut dhe dritës së gjelbër për kalim të lirë në vendin e ish-kontrollit kufitar në vendkalimin Bregana-Obrezhje në mesnatë u shënua hyrja e Kroacisë në Shengen, zona më e madhe e lëvizjes së lirë në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq priti ministren sllovene të Administratës në cilësinë e ministres së Brendshme, Sanja Ajanoviq Hovnik në pikën kufitare Bregana, ku në mënyrë simbolike ngritën një parmak në vendkalim.
Udhëtari i fundit që ka kaluar në pikën kufitare të Breganës ka marrë dhuratë një arush pelushi.
Me anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2013, Kroacia mori përsipër të përmbushë kriteret për futjen e euros dhe hyrjen në zonën Shengen, e cila u realizua pas disa vitesh përgatitjeje dhe vlerësimi të kritereve nga organet kompetente evropiane dhe nga mesnata Kroacia është zyrtarisht anëtare e Eurozonës dhe Shengenit.
Kroacia u bë anëtarja e 27-të e zonës Shengen dhe që nga 1 janari 2023 u hoqën kontrollet kufitare në pikat kufitare tokësore dhe detare ndërsa në pranverë, më 26 mars 2023, ato do të hiqen edhe në aeroporte.
Kroacia u bë shteti i 20-të anëtar i BE-së që u bashkua me Eurozonën dhe zëvendësoi monedhën e saj kombëtare, kunën, me euron.