Papa Françesku u lut për një zgjidhje politike paqësore të tensioneve në Ukrainë gjatë lutjeve tradicionale të së dielës.
Ai i quajti shqërësuese lajmet që po vijnë nga Ukraina.
“Lajmet që vijnë nga Ukraina janë shumë shqetësuese. Çdo përpjekje për paqen ia besoj ndërmjetësimit të Virgjëreshës Mari dhe ndërgjegjes së liderëve politikë”, shtoi ai, duke u bërë thirrje të gjithëve të luten në heshtje.
Tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë të rriten pasi zyrtarët e inteligjencës perëndimore paralajmërojnë se një pushtim rus është afër, shkruan Associated Press.
Moska ka mohuar se synon të pushtojë Ukrainën, por ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa pranë kufirit ukrainas dhe ka dërguar trupa në stërvitje në Bjellorusi, duke rrethuar Ukrainën nga tre anët.