Kriza energjitike nxit polemikat mes qeverisë dhe opozitës

September 9, 2022
min lexim

Në Tiranë, qeveria u kërkoi sot qarqeve të biznesit të punojnë për të siguruar burime alternative energjie, si energjia diellore.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në një takim me dhomat e tregtisë se autoritetet do të mbështesin investime të tilla fitimprurëse.

Qeveria publikoi dje një paketë të dytë masash mbi përballimin e rritjes së çmimeve, ku përfshihet edhe një tarifë e shtrenjtuar mbi energjinë elektrike për familjet, që do të shpenzojnë mbi 800 kilovat/orë energji në muaj.

Opozita tha sot se qeveria nuk ka politika për diversifikimin e burimeve dhe prodhimit të energjisë.

Një ditë pasi publikoi paketën e dytë të masave për të përballuar çmimet e rritura ndjeshëm nëpër tregje, kryeministri Edi Rama, diskutoi me qarqet e biznesit mbi situatën e vështirë ekonomike.

Zoti Rama u kërkoi sot Dhomave të Tregtisë një dialog të vazhdueshëm, bazuar në studime të mirëfillta mbi klimën e biznesit në Shqipëri.

Një ndër shqetësimet kryesore ishte sigurimi i energjisë për industritë e vendit, ku zoti Rama nxiti bizneset që të investojnë në energji alternative si energjia diellore për të ulur kostot e energjisë në kompanitë e tyre, jo thjesht me mendimin se tepricat do të përkthehen si shkëmbim energjie në rrjet.

“Çdo investim që bëhet në një vend si Shqipëria për të prodhuar një pjesë të konsumit të energjisë vetë nga dielli është padyshim një investim që në afatmesëm është tërësisht fitimprurës dhe që ul ndjeshëm koston e energjisë për biznesin, ashtu sikundër nga ana tjetër, ne jemi krejtësisht të hapur të konsiderojmë instrumente incentivues për t’i bërë këto investime” – tha zoti Rama.

Qeveria publikoi dje një tjetër paketë masash në përballimin e tregjeve të shtrenjtuara brenda dhe jashtë vendit.

Midis tyre parashikohet një çmim i dytë për ato konsumatorë familjarë që do të harxhojnë më shumë se 800 kv. orë energji.

Sipas studimit të qeverisë, rreth 96 për qind e popullatës konsumon mesatarisht 800 kv, dhe vetëm 4 për qind e kapërcejnë këtë prag.

Çmimi shtesë për kilovatët shtesë duket se është më shumë një masë parandaluese, që qytetarët të kursejnë energjinë, duke u përpjekur të mos e kapërcejnë atë prag.

Por opozita shprehu shqetësim për pafuqinë e buxheteve familjare për të paguar energjinë, si dhe për mungesën e politikave shtetërore në diversifikimin e burimeve të energjisë.

Deputetja e Partisë demokratike, sipas një tjetër studimi, rreth 35 -40 për qind e popullatës kanë vështirësi në pagesën e energjisë elektrike, ndërsa vendet e rajonit e kanë këtë grupim në 9 mpër qind, dhe mesatarja e Be-së, është 7 për qind.

“Në një kohë kur 40 për qind e popullsisë nuk paguan dot energjinë elektrike, qeveria shqiptare ndërmori rritjen e çmimit të energjisë, e cila sipas të dhënave, do të prekë 23-24 për qind të familjeve. Kjo masë është shumë e ndryshme nga masat e ndërmarra prej vendeve të rajonit dhe ato të Bashkimit Europian, të cilat mbështesin sektorin e energjisë, si dhe mbulojnë rritjen e çmimeve për pensionistët, grupet në nevojë, kryefamiljarët etj” – tha zonja Tabaku.

Ekspertët pohojnë se energjia po bëhet një produkt përherë e më i shtrenjtë në tregjet botërore për shkak të zhvillimeve politike, ushtarake e klimatike, ndërsa qeveria shqiptare vazhdon të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të çmimit të saj në dobi të konsumatorëve.

Kompanitë prodhuese, transmetuese dhe shpërndarëse kanë një pozitë monopol në treg dhe kjo i jep mundësinë qeverisë, që të subvencionojë pjesën më të madhe të çmimit të saj përmes një çmimi tavan, i cili nuk ndryshoi as me masat e shpallura dje, ndonëse çmimet në bursa janë rritur ndjeshëm.

Autoritetet bënë të ditur se një çmim 4 herë më të madh të energjisë elektrike do të paguajnë vetëm ata konsumatorë, që do të harxhojnë mbi 800 kv, ndërsa të tjerët duhet të përpiqen që të kursejnë për të mos e kaluar këtë nivel, nëse nuk duan që t’i prekë çmimi i ri./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Rodgers nuk e ka në plan dorëheqjen si trajner i Leicister

Story i radhës

Vushtrria dënohet me tri ndeshje pa shikues

Të fundit nga

Në Parlament do të ketë pyetje deputetësh

Kuvendi sot do të mbajë mbledhjen e 21-të, ku në rend dite janë pyetjet e deputetëve. Një seancë e tillë plenare zakonisht mbahet çdo të enjte të fundit gjatë muajit. Sipas Rregullores

Mot i mirë sot, ngriten temperaturat maksimale

Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell. Ndërsa në orët e mëngjesit pritet të ketë mjegull lokalisht nëpër lugina dhe ultësira. Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme me
ShkoLartë