Kriza energjetike, makthi më i keq i Evropës po bëhet realitet

min lexim

Ndërsa ndërprerjet e furnizimeve me gazin rus, po e përkeqësojnë sigurinë energjetike evropiane, kontinenti po përpiqet të përballet me atë që ekspertët thonë se është një nga krizat e tij më të këqija energjetike të para ndonjëherë, dhe që mund të përkeqësohet akoma më shumë.

Për muaj të tërë, udhëheqësit evropianë kanë qenë shumë të shqetësuar nga perspektiva e humbjes së furnizimeve me gazin rus, që përbën rreth 40 për qind të importeve evropiane, dhe ka qenë jetik për kontinentin. Ky makth po bëhet tani një realitet i dhimbshëm, pasi Moska po redukton dërgesat e saj, në shenjë hakmarrjeje për mbështetjen që i jap Evropa Ukrainës.

Kjo lëvizje i ka rritur akoma më shumë çmimet e energjisë, dhe ka detyruar shumë vende të përdorin planet emergjente, edhe sepse furnizuesit rezervë të energjisë si Norvegjia dhe Afrika e Veriut nuk po arrijnë t’i përgjigjen kësaj sfide. “Kjo është kriza energjetike më ekstreme që ka ndodhur ndonjëherë në Evropë. Çmimet kanë arritur kulmin, dhe nga kjo situatë nuk ka njërrugëdalje të menjëhershme”- thotë Aleks Manton, ekspert për tregjet globale të gazit në “Rapidan Energy Group”.

Shumë zyrtarë dhe ekspertë të energjisë, shqetësohen se kriza vetëm sa do të thellohet, pasi “Nord Stream 1”, gazsjellësi më i madh i gazit nga Rusia në Evropë, ka ndalur punën që të hënënpër shkak të punimeve të mirëmbajtjes. Edhe pse procedura parashikohet të zgjasë vetëm 10 ditë, historia e shantazhit dhe përdorimit të energjisë si armë nga ana e Kremlinit, ka ngjallur frikën se Moska nuk do ta rikthejë atë në punë, duke lënë në baltë vendet evropiane, që mbeten ende shumë të varura nga gazi rus.

“Çdo gjë është e mundur. Mund të ndodhë që dërgesat të rifillojnë, ndoshta më shumë se më parë. Por mund të ndodhë që të mos vijë më asgjë”– deklaroi Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habek për Deutschlandfunk. Kjo do të shkaktonte jo pak telashe për dimrin e ardhshëm, kur rritet kërkesa për energji, dhe kur gazi është i domosdoshëm për ngrohjen.

Zakonisht, vendet evropiane mbështeten tek importet muajt e verës për të rimbushur depozitat e tyre të gazit. Dhe në një kohë lufte, kur furnizimi i ardhshëm i kontinentit me gaz është i pasigurt, pasja e atyre rezervave është shumë e rëndësishme.

Nëse vazhdojnë ndërprerjet e zgjatura të Rusisë, ekspertët paralajmërojnë një dimër të vështirë:mbyllje të shumë industrive, dhe madje edhe zhvendosje të mëdha të tyre. Zyrtarët britanikë, që vetëm pak muaj më parë paralajmëruan rritjen e faturave të energjisë për konsumatorët, tani po paralajmërojnë një situatë edhe më të rëndë.

“Evropa mund të përballet me një dimër të trazuar, me racionime, mbyllje të industrive tëmëdha”- thotë Helima Kroft, drejtoreshë në “RBC Capital Markets”. Në fakt, trazirat kanë filluar tashmë, me grevat që kanë shpërthyer në të gjithë kontinentin, teksa familjet po përballen me presionet e kostove të rritura të jetesës dhe atyre inflacioniste.

Një pjesë e kësaj pakënaqësie, ka pasur efekte negative edhe në tregun e energjisë. Në Norvegji, vendi furnizues më i madh i Bashkimit Evropian me gaz pas Rusisë, grevat e mëdha në industritë e naftës dhe gazit javën e kaluar, i detyruan kompanitë të ndërpresin prodhimin, duke e rënduar më tej situatën në të gjithë Evropën.

Vendet evropiane rrezikojnë të zhytën në “konflikte shumë të forta, pasi nuk ka energji”, deklaroi për britaniken “The Guardian”, Frans Timermans, nën/president i Komisionit Evropian . Sipas tij Putin po përdor të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të nxitur përçarje në shoqëritë tona, “ndaj ne duhet të përgatitemi për një periudhë shumë të vështirë”.

Por dhimbjet e kësaj krize po ndihen më qartë në Gjermani, vend që është detyruar të ndërmarrë një sërë masash ekstreme të kursimit të energjisë, përfshirë racionimin e ujit të ngrohtë dhe mbylljen e pishinave. Për ta përballuar krizën, Berlini ka hyrë tashmë në fazën e dytë të planit të tij me 3 faza të emergjencës së gazit.

Javën e kaluar, qeveria gjermane masa për të shpëtuar nga falimentimi gjigantët e saj të energjisë, që janë më të goditurit nga veprimet e Rusisë. Por nuk është vetëm Gjermania. “Kjo gjë po ndodh në të gjithë Evropën”– thotë Olga Khakova, eksperte për sigurinë energjetike evropiane në Këshillin Atlantik.

Sipas saj, edhe Franca ka njoftuar planet për ta shtetëzuar kompaninë energjetike EDF, ndërsa kësaj të fundit po i shtohen humbjet ekonomike. “Pjesa më sfiduese është se sa mund të ofrojnë këto qeveri në mbështetje të konsumatorëve të tyre të energjisë?”– thekson ajo.

Ndërkaq kjo situatë, ka vënë në pikëpyetje qëllimet e shumë vendeve në lidhje me masat kundër ndryshimeve të klimës. Në fund të qershorit, Gjermania, Italia, Austria dhe Holanda njoftuan se do të rivinin në punë termocentralet e vjetra me qymyr, teksa po përballen me reduktimin e ndjeshëm të furnizimeve me energji nga jashtë.

Pavarësisht dëshirës së kontinentit për të hequr tërësisht dorë nga gazi rus, ekspertët thonë se Evropa ka të ngjarë të mbetet e bllokuar në këtë krizë, derisa të mund të zhvillojë infrastrukturëne duhur për një pavarësi më të madhe energjetike, proces që mund të zgjasë me vite.

Gazi amerikan, i dërguar me cisterna, është një opsion, por kjo kërkon ndërtimin e terminaleve të reja. Gazsjellësit e rinj kërkojnë edhe më shumë kohë për t’u ndërtuar, ndërsa nuk ka një numër të madh furnizuesish të kualifikuar.

“Evropa e ka shumë të vështirë të lirohet nga varësia e saj nga gazi rus. Kjo do të marrë 3-5 vjet”– thotë Xhejms Henderson, ekspert i energjisë në Institutin e Oksfordit për Studimet e Energjisë. Deri atëherë, liderët evropianë do të vazhdojnë të përpiqen të sigurojnë furnizime të mjaftueshme, dhe mund të shpresojnë vetëm për një mot të butë. “Skenari më i keq, është ai kur njerëzit duhet të zgjedhin midis të ngrënit dhe ngrohjes në dimër”- thotë Kroft. / “Foreign Policy” – Bota.al

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Rasti Muhamed Zeqiri, në Slloveni është arrestuar edhe Daniell Ivanagiq

Story i radhës

Në një botë kaq të ndërlidhur, fati i Ukrainës na intereson të gjithëve

Të fundit nga