Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë fjalës së tij në seancën e sotme në Kuvend është shprehur se qytetarët e Kosovës kanë një jetesë të mirë.
Duke diskutuar për vendimin e qeverisë se përse nuk duhet tërheqja e mjeteve nga trusti pensional, Kurti nga foltorja e Kuvendit ju drejtua deputetëve duke thënë se “në Kosovë, qytetarët jetojnë më mirë se në shumë vende të tjera të botës”.
Në seancën e kuvendit të kësaj të enjte, një nga pikat e diskutimit ishte dhe ajo për tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti, projektligj i cili nuk kaloi.
“Se çka ne po bëjmë po e ftoj Ministrin e Financave, Punës e Tranfereve, Hekuran Muratin që ta përsëris edhe njëherë se çka po bëjmë ne për qytetarët që na qenkan duke vuajtur. Unë nuk po them që qytetarët e kanë jetesën e mirë, por shifrat tregojnë që mesatarja është shumë më e mirë se që ishte më herët dhe sidomos është shumë më e mirë krahasuar me gjendjen aktuale në botë. Nuk është gjendja e mirë unë nuk po them , por është shumë më e mirë se që e kanë të tjerët. Të gjithë janë në krizë, e gjithë Evropa është në krizë. Të gjithë janë duke e parë se çka po ndodhë me krizën e dimrit të ardhshëm në çmimet e energjisë e ushqimit, të gjithë janë të shqetësuar jemi edhe ne. Ma gjeni një shtet që u pasurua në këtë vit ose në vitin e kaluar. Për besë të tjerët janë në kriza shumë më të mëdha. Kanë kaluar me borxhe edhe mbi 100% edhe nuk e kanë as për së afërmi gjendjen relativisht qysh e kemi ne”- tha Kurti.