Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me të dhënat e konsumit në kushtet e krizës ekonomike.
Ajo tha në një intervistë në RTSH se fakti që konsumi nuk ka rënë, të çon në përfundimin se jashtë bankave ka shumë para të padeklaruara.
“Mendohet që ekonomia informale të jetë jo më shumë 30 %, megjithatë janë shifra të studimeve të veçanta dhe nuk ka një shifër zyrtare për informalitetin në ekonomi”, thotë Ibrahimaj.
Ajo thotë se qeveria po punon për amnistinë fiskale duke marrë në konsideratë të gjitha rekomandimet e mundshme dhe nuk ka hequr dorë nga nisma pavarësisht kritikave nga BE dhe SHBA.
“Ne kemi pasur disa komunikime me BE dhe jo vetëm, me ekipe ekspertësh që janë kujdesur të na japin rekomandimet e tyre për draftin e amnistisë fiskale dhe penale.
Jemi duke reflektuar mendimet e tyre, po marrim në konsideratë të gjithë rekomandimet, duke kuptuar se cilat janë rekomandimet që mund të pranohen dhe cilat jo, duke pasur si objektiv kryesor që të kemi një amnisti fiskale të suksesshme, pasi nëse do të merret në konsideratë të gjitha rekomandimet e mundshme do të kemi si rezultat një amnisti fiskale siç ka ndodhur në Moldavi apo vende të tjera, ku inputet e formalizuara nga amnistia ishin fare të vogla dhe nuk kishte vlerë të ndërmerrej një nismë e tillë ligjore kaq e rëndësishme.
Pra jemi duke konsideruar të gjithë elementët me qëllim që të dalim me një draft sa më të konsoliduar dhe të pranuar nga grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare. Pra po punojmë, nuk është hequr dorë”, shprehet Ibrahimaj.