Kreu i Wagnerit njofton kthimin mbrapa për të shmangur ‘gjakderdhjen’

Kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha se luftëtarët e tij ishin rreth 200 kilometra larg nga kryeqyteti rus Moska kur vendosën të ktheheshin mbrapa për të shmangur gjakderdhjen, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në Telegram, Prigozhin tha se autoritetet ruse donin të shpërbënin grupin e tij dhe për shkak të kësaj ata “u nisën për në Marshimin e Drejtësisë”.

“Ne u nisëm më 23 qershor… Brenda një dite përshkuam një distancë të tillë saqë ishte vetëm 200 kilometra deri në Moskë. Gjatë kësaj kohe nuk kemi derdhur asnjë pikë gjaku të luftëtarëve tanë”, tha Prigozhin.

“Tani ka ardhur momenti kur mund të derdhet gjak, prandaj, duke e kuptuar gjithë përgjegjësinë për faktin se gjaku rus do të derdhet në njërën nga anët, ne i kthejmë kolonat tona dhe kthehemi në kampet fushore sipas planit”, tha ai në një audiomesazh.

Paralelisht, presidenti bjellorus Aleksander Lukashenko ka thënë se ai ka qenë në bisedime me Prigozhinin gjatë gjithë ditës, gjë që çoi në marrëveshjen për shtensionim.

“Këtë mëngjes, presidenti rus Vladimir Putin e informoi homologun e tij bjellorus për situatën në jug të Rusisë me kompaninë private ushtarake Wagner. Krerët e shteteve ranë dakord për veprime të përbashkëta”, tha shërbimi për shtyp i Lukashenkos në një deklaratë.

“Si vazhdimësi e marrëveshjeve, presidenti i Bjellorusisë, pasi sqaroi më tej situatën nëpërmjet kanaleve të tij, në koordinim me presidentin e Rusisë, zhvilloi bisedime me kreun e Wagnerit Yevgeny Prigozhin”, thuhet më tej.

Si rezultat, palët arritën në “një marrëveshje për papranueshmërinë e kryerjes së një masakre të përgjakshme në territorin e Rusisë”.

“Yevgeny Prigozhin pranoi propozimin e presidentit të Bjellorusisë Aleksander Lukashenko për të ndaluar lëvizjen e njerëzve të armatosur të kompanisë Wagner në territorin e Rusisë dhe për hapa të mëtejshëm për uljen e tensioneve”, thuhet në deklaratë.

Deklarata shton se “ekziston një zgjidhje absolutisht e dobishme dhe e pranueshme për situatën në tryezë, me garanci sigurie për luftëtarët e kompanisë private ushtarake Wagner”.





Story i mëparshëm

Kufizimet e trafikut vazhdojnë në autostradën M4 të Rusisë pranë Moskës pas revoltës

Story i radhës

Luizi motivon ata që vuajnë nga depresioni: Unë jam dëshmi e gjallë që ka dritë në fund të tunelit

Të fundit nga