Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, u bëri thirrje qytetarëve rusë të mërkurën që të mos kenë frikë nga vdekja, pas vendimit të Presidentit Vladimir Putin për të mobilizuar trupat rezervë për të luftuar në Ukrainë.
“Shkoni me guxim për të përmbushur detyrën tuaj ushtarake. Dhe mbani mend se nëse jepni jetën tuaj për vendin tuaj, do të jeni me Zotin në mbretërinë e tij, lavdinë dhe jetën e përjetshme”, tha ai në një predikim në Manastirin Zachatyevsky në Moskë.
Kirill, i cili ka justifikuar vendimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën në shkurt mbi baza shpirtërore dhe ideologjike, i bëri këto komente menjëherë pasi zyrtarët rusë thanë se deri në 300,000 rezervistë do të thirreshin për të luftuar.
Kirill deklaroi gjatë predikimit të tij se një person me “besim të vërtetë” nuk i nënshtrohet frikës së vdekjes.
Sipas tij, njeriu bëhet i “pamposhtur” kur tek ai ka një “dimension të fortë që lidhet me përjetësinë” dhe ai nuk ka më frikë nga vdekja.
Udhëheqësi i Kishës Ortodokse Ruse ka ngritur më parë idenë se ukrainasit dhe rusët janë një popull.
Patriarku që nga fillimi i luftës e ka justifikuar konfliktin duke mbajtur fjalime për Rusinë si një “fuqi paqedashëse” që nuk përfshihet në “aventura ushtarake”.
Putin, më 24 shtator ka nënshkruar amendamentet që ashpërsojnë dënimin për dezertorët dhe ata që refuzojnë të luftojnë. Dënimi parashihet deri në 10 vjet burgim.
Ky vendim vjen vetëm katër ditë pasi ai urdhëroi mobilizim të pjesshëm ushtarak, në mënyrë që të forcohet pushtimi i paprovokuar i Ukrainës dhe pasi forcat ruse pësuan humbje në fushëbetejë.
Më 24 shtator, Putin ka nënshkruar edhe një ligj tjetër, përmes të cilit lehtëson qasjen në marrjen e shtetësisë ruse për të huajt që regjistrohen në ushtrinë ruse.