Kreu i grupit paraushtarak ‘Wagner’, Yevgeny Prigozhin, ka deklaruar se nuk ka plane për të rekrutuar personel të ri “për sa kohë që nuk ka mungesë”, transmeton Anadolu.
“Megjithatë, ne do t’ju jemi jashtëzakonisht mirënjohës nëse mbani kontakte me ne dhe sapo atdheu të ketë nevojë të krijojë një ‘grup’ të ri që do të jetë në gjendje të mbrojë interesat e vendit tonë, sigurisht që do të fillojmë të rekrutojmë”, tha Prigozhin në një audio-regjistrim të shpërndarë në kanalet pro-grupit ‘Wagner’ në Telegram.
Prigozhin, i cili u pa në Shën Petersburg gjatë samitit Afrikë-Rusi të javës së kaluar, tha se ‘Wagner’ vazhdoi aktivitetet e tij në Afrikë dhe në një qendër trajnimi në Bjellorusi.
“Sot ne po përcaktojmë detyrat tona të ardhshme, skica e të cilave po vizatohet gjithnjë e më qartë. Pa dyshim, këto janë detyra që do të kryhen në emër të madhështisë së Rusisë”, tha Prigozhin.
Ai shtoi se nuk kishte kufizime për transferimin e luftëtarëve të grupit në “strukturat e tjera të pushtetit” të Rusisë, duke shprehur se disa ranë dakord ta bënin këtë.
Më 24 qershor, Prigozhin akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë për sulm ndaj luftëtarëve të grupit, si dhe shpallo “Marshimin e Drejtësisë” dhe u nis drejt Moskës.
Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse e cilësoi veprimin e grupit “rebelim të armatosur” dhe hapi një çështje penale kundër Prigozhin, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, e quajti kryengritjen e kompanisë prëvate ushtarake një “akt të tradhtisë”.
Prigozhin më vonë u kthye prapa për të “shmangur gjakderdhjen” dhe u negociua një marrëveshje me presidentin Putin përmes presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko.
Para se t’i bashkohej “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, ‘Wagner’ kishte punuar për disa kohë në disa vende afrikane, përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore dhe Malin.