Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, kanë vizituar sot Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas dorëheqjeve të gjyqtarëve nga komuniteti serb.
Zogaj dhe Maliqi u takuan me Nënkryetarin e kësaj gjykate, Bekim Veliqin, gjyqtarët, administratoren dhe stafin administrativ, ku diskutuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës pa ndërprerje në situatën aktuale.
Kryesuesi Zogaj dhe Drejtori Maliqi u siguruan nga nënkryetari Veliqi dhe administratorja, se gjykata është duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për organizmin e procesit të punës në pajtim me aktet ligjore në fuqi.
Zogaj siguroi se Këshilli është i vendosur për ofrimin e gjithë mbështetjes së nevojshme me qëllim që Gjykata Themelore në Mitrovicë të funksionojë edhe në rrethanat aktuale për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.