Kremlini akuzoi Perëndimin se “po i mbyll sytë” ndaj “sulmeve terroriste” të Ukrainës, raporton Anadolu.
I pyetur në një konferencë shtypi në Moskë për mungesën e reagimit nga Perëndimi në lidhje me sulmin e fundit në Urën e Kerçit, zëdhënësi Dmitry Peskov tha: “Perëndimi kolektiv është gati të mbyllë sytë ndaj çdo sulmi terrorist që kryen regjimi i Kievit në vendin tonë”.
Të paktën dy persona u vranë dhe një fëmijë u plagos rëndë në një shpërthim të hënën herët në Urën e Kerçit, që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë, që ka qenë nën kontrollin e Moskës që nga viti 2014.
Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar Ukrainën se qëndron pas sulmit.
Peskov tha gjithashtu se Putin ishte informuar për një shpërthim gjatë natës në një terren stërvitor ushtarak në Krime.
Peskov komentoi gjithashtu raportimet e mediave që pretendonin se SHBA-ja planifikon të sanksionojë vendin e Azisë Qendrore, Kirgistanin, për një bashkëpunim të dyshuar ushtarak me Rusinë.
Zëdhënësi i Kremlinit e quajti Kirgistanin “partner dhe aleat i ngushtë i Rusisë”, duke u zotuar të vazhdojnë zhvillimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit dypalësh brenda formateve të ndryshme të integrimit rajonal.