Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës apeloi që situata të zgjidhet me mjete diplomatike, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne jemi për mbrojtjen e të gjitha të drejtave të serbëve të Kosovës dhe përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra nga palët në kuadër të të gjitha dokumenteve që kanë të bëjnë me këtë situatë. Sigurimi i interesave të serbëve është i rëndësishëm për ne. Ne mbështesim përpjekjet paqësore të palëve dhe jemi për zgjidhjen e situatës përmes rrugëve diplomatike”, tha Peskov.
Peskov theksoi nevojën për uljen e tensioneve. Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka kërkuar mbështetje nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për situatën në Kosovë.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të ndryshojë doktrina bërthamore e Rusisë, Peskov tha: “Nuk ka veprime të shpejta për këtë çështje”.