Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi së bashku me bashkëpunëtorë, ka qëndruar sot në Mitrovicë, me ç’rast së bashku me kryetarin e kësaj komune, Bedri Hamza, kanë vizituar punimet në ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Koshtovë, pastaj asfaltimin e rrugëve në lagjen ‘Ilirida’ në Mitrovicë, si dhe renovimin e shkollës fillore ‘Eqrem Qabej’ në këtë qytet.
Krasniqi tha se ndjehet krenar me punën e kryetarit të Mitrovicës, Bedri Hamza, pasi që këtu shihet modeli qeverisës i cili në fokus ka qytetarët.
Sipas tij, vërehet mungesë e mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore, andaj ka apeluar që qeveria të bashkëpunojë më shumë me komunat në këtë drejtim.
Krasniqi: Në Mitrovicë vërehet mungesa e mbështetjes nga Qeveria
“E them me bindje të plotë se si kryetar i PDK-së ndihem në mënyrë të veçantë krenar sepse këtu e shohim modelin qeverisës të PDK-së, modelin i cili në fokus ka qytetarët… Ajo që vlen të theksohet edhe në Mitrovicë është fakti se krejt këto projekte që po i shohim sot janë duke u bërë me vetëfinancim, me mjete vetanake të komunës dhe me donacionet të cilat Hamza ka arritur t’i thithë nga donatorë të shumtë ndërkombëtarë, por vërehet një mungesë e mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore”, ka thënë Krasniqi.
Edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se Komuna e Mitrovicës është duke investuar në projekte të rëndësishme që ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Ai theksoi se pret mbështetje më të madhe nga niveli qendror.
Hamza: Kemi nevojë për përkrahje më të madhe nga niveli qendror
“Realisht jemi duke investuar në projekte të rëndësishme që ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Mitrovicës, jemi në dinamikën e realizimit të punimeve… Pres përkrahje edhe më të madhe në të ardhmen për shkak se ka nevojë për mbështetje më të madhe prej nivelit qendror”, theksoi Hamza.