Krasniqi: Ligjet për KPM dhe për KPK, vazhdimësi e mentalitetit autoritar të Qeverisë Kurti dhe LVV-së

min lexim

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, miratimin e dy ligjeve nga deputetët e pushtetit në Kuvendin e Kosovës, atë për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, e ka quajtur “vazhdimësi të mentalitetit autoritar dhe antikushtetues të Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje”.

Në një reagim në Facebook, Krasniqi thotë se qeveria nuk dëgjoi mocionin e opozitës për t’i tërhequr këto projektligje “për shkak të vërejtjeve dhe shkeljeve të shumta”.

“Qeveria nuk deshi të dëgjojë dhe procedoi me veprimet e saj anti-kushtetuese, në tendencën për të nënshtruar e kapur Mediat dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, tha Memli Krasniqi.

Ai thotë se projektligji për KPM-në, i tillë siç është miratuar, “është kundërshtuar fuqishëm edhe nga vet gazetarët dhe asociacionet e tyre vendore e ndërkombëtare”.

“Sot, fatkeqësisht, demokracisë, lirisë së shprehjes dhe të informimit të pandikuar, si dhe drejtësisë së pavarur nga pushteti, në kundërshtim edhe me çdo praktikë dhe standard evropian, iu dha një goditje e fuqishme nga vetë shteti i cili është i thirrur për t’i mbrojtur e mbështetur këto liri e këto parime”.

Ai tha se PDK-ja do ta kundërshtojë këtë qasje populiste që thotë se po e dëmton perspektivën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, “por edhe raportet e mira me aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët me kohë dhe zëshëm i kanë kundërshtuar ligjet e kaluara sot nga pushteti aktual”.

“Ne do të vazhdojë angazhimin tonë në mbrojtje të ligjshmërisë, të kushtetueshmërisë dhe të interesave të vendit, përmes kundërshtimit edhe të këtyre dy ligjeve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, potencoi kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. 

Story i mëparshëm

Elgit Doda dhe Ardian Bujupi sjellin këngën e re “Sekret”

Story i radhës

VLEN-i konteston Ligjin për lojërat e fatit, kërkojnë interpretim autentik të nenit 7 paragrafi 3

Të fundit nga