​Krasniqi: Ashtu siç premtuam, Hanin e Elezit nga një vendkalim, po e shndërrojmë në vendqëndrim

min lexim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në vazhdën e vizitave të tij nëpër komunat e Kosovës, sot ka vizituar Hanin e Elezit, ku u takua me kryetarin Mehmet Ballazhi.

Krasniqi tha se kryetari Ballazhi dhe stafi i tij i drejtorëve është shembull i mirë i barazisë gjinore, por edhe profesionalizmit dhe përkushtimit për të punuar për qytetarët. 

Pas vizitës në komunë, Krasniqi dhe Ballazhi kanë parë nga afër Qendrën e re të Kulturës, një projekt i nisur vite më parë kur PDK e udhëhiqte Ministrinë e Kulturës, e që ka përfunduar tani kur këtë komunë e udhëheq kryetari nga radhët e PDK-së.

“Kam thënë çdo herë që Hani i Elezit nuk duhet të jetë më vetëm një vendkalim. Ai duhet të kthehet në vendqëndrim që u jep perspektivë e mundësi qytetarëve të tij. Nga diskutimet me kryetarin, por edhe nga vizitat në terren, u ndava i kënaqur, pasi premtimet e dhëna në fushatë po realizohen për një periudhë të shkurtër gjashtëmujore nga marrja e detyrës. Një nga këta shembuj është pikërisht Qendra e Kulturës që sot më vjen mirë që u iniciua nga një ministër nga radhët e PDK-së para pak vitesh, e po përfundon kur një kryetar komune nga radhët e PDK-së është duke e udhëhequr qytetin dhe ky objekt iu ofron qytetarëve atë që u ka munguar – një Shtëpi për Kulturën, Rininë dhe Sportin”, tha Krasniqi.

Krasniqi dhe Ballazhi kanë vizituar edhe punimet në përfundimin e projektit për Fabrikën e Ujit të Pijshëm dhe vendkalimet përgjatë hekurudhës që do të rregullohen për ta ndryshuar për të mirë situatën tek familjet dhe qytetarët e Hanit të Elezit.

Kryetari Ballazhi me këtë rast u zotua se do të punojë për qytetarët dhe me qytetarët, pa dallim.

“Siç kemi premtuar gjatë fushatës, ne po punojmë në zbatimin e projekteve kapitale për krijimin e mundësive për qytetarët e Hanit të Elezit, që komuna jonë të bëhet vendqëndrim për ta. Shpresoj të arrijmë aty ku duhet bashkë me qytetarët dhe të krijojmë një jetë më të mirë”, tha Ballazhi.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Rama e Abazoviq udhëtojnë drejt Ukrainës

Story i radhës

Guardiola mori një makineri golash

Të fundit nga