Shuma e përgjithshme e buxhetit të planifikuar për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit arrin vlerën 10 milionë e 887,186.45 euro. Kjo u bë e ditur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të premten.
Kjo shumë do të ndahet në paga dhe shtesa, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale dhe pasuri jofinanciare. Ky plan i buxhetit u miratua me dhjetë vota për.
Në këtë mbledhje u krijua Këshilli për mbikëqyrjen e informimit publik me kryesues Muharrem Nitajn, anëtar i KQZ-së nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai propozoi që në kuadër të këtij Këshilli të jenë edhe përfaqësues të gjuhëve të tjera.
Nitaj: Këshilli për mbikëqyrjen e informimit publik duhet të ketë edhe përfaqësues të gjuhëve të tjera në Kosovë
“Do të propozoja që meqë ky këshill ka të bëjë me produktet informative që lidhen me fushatën e zgjedhjeve, zgjedhjet dhe informimin e opinionit publik dhe realizohet në disa gjuhë, në këtë këshill të jenë përfaqësues të gjuhëve që fliten në Kosovë: turke, serbo-kroate, boshnjake dhe rome. Në përbërje të këtij këshilli minimalisht duhet të jenë 3 përfaqësues të këtyre gjuhëve”, tha ai.
Kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi bëri të ditur që në këtë Këshill janë edhe përfaqësuesit e tri gjuhëve të tjera që fliten në Kosovë.
Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosja, Alban Krasniqi tha se ky Këshill ka mision edukimin e votuesve.
Në këtë mbledhje u miratua edhe pika për rekrutimin dhe angazhimin e stafit të përkohshëm si dhe vendimi për kompensimin e punës jashtë orarit të rregullt të punës, ditëve të fundjaëvs dhe festave zyrtare për zgjedhjet e parakohshme.
Po ashtu u miratua edhe formula për nominimin e anëtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit.
Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosja Alban Krasniqi tha se janë mbajtur mbledhje të Këshillit Operacional dhe janë shqyrtuar disa nga afatet dhe planet kohore.
Krasniqi: Janë shqyrtuar disa nga afatet dhe planet kohore për zgjedhjet e 7 qershorit
“Si aktivitet fillestar është pranimi i ekstraktit të regjistrit civil qendror nga Ministria e Punëve të Brendshme, i cili është bërë. Partitë politike paraqesin pjesëmarrjen prej 1 deri më 7 maj dhe deklarohen përmes koalicioneve. Periudha e aplikimit për certifikimin e subjekteve të tjera politike, të cilat janë të regjistruara për koalicione dhe deputetë të pavarur, është nga data 2 deri më 10 maj. Tërheqja e shortit të renditjes së partive politike në fletëvotim realizohet më 16 maj. KQZ merr vendim për emërimin e anëtarëve të komisioneve komunale të zgjedhjeve deri më 8 maj. Periudha e ndryshimit të qendrës së vendvotimit është 6 deri me 16 maj. Për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës: 6–17 maj. Lista e votuesve që kanë votuar brenda dhe jashtë Kosovës certifikohet nga KQZ më 20 maj”, tha ai.
Votimi përmes postës bëhet nga 28 maji deri më 7 qershor, ndërsa regjistrimi i personave me nevoja të veçanta nga 26 deri më 31 maj.
Sipas KQZ-së, emërimi i Këshillit të ekipeve në qendrat e numërimit bëhet më 22 maj, kurse periudha e akreditimit të vëzhguesve bëhet nga 8 deri më 30 maj.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja bëri të ditu që ka nxjerrë një rregullore të re sa i përket vëzhguesve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit po mbahen pas dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Burimi: botasot.info


