Rritja e pagës minimale nuk duhet të jetë shkak për të nisur protesta. Është një rritje pagash për punëtorët kryesisht në sektorin privat që punojnë në fabrika dhe në sektorin e shërbimeve. Me anë të taksave të sektorit privat paguhen pagat e të gjithë atyre që punojnë në sektorin publik, ndërkaq ky sektor 138 mijë të punësuar.
Ata 138 mijë i marrin rrogat falë kontributeve, falë taksave që paguan sektori privati, kjo nuk duhet të jetë arsye që të bëhet presion dhe të mbahen protesta. Kështu u përgjigj sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në pyetjen e gazetarëve lidhur me protestat e paralajmëruara nga disa sindikata lidhur me kërkesat për rritje të pagave.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut theksoi se duhet të ketë rritje të pagave, por me qasje metodologjike.
“Po ashtu dua të theksoj se nga viti 2017, 2018, 2019 pjesa më e madhe e pagave janë rritur për 20 për qind, në arsim pagat janë rritur kumulativisht për 21 për qind vitet e fundit, janë rritur edhe pagat e mjekëve, janë rritur edhe mjetet financiare që i kemi ndarë për shëndetësi”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Ai tha se Qeveria do të vazhdojë me atë dialog, por theksoi se nuk është mirë që për dialogun ekonomik dhe social fillimisht të paralajmërohen protesta dhe më pas të nën presion të shkohet e të bisedohet me Qeverinë.
“Megjithatë, edhe në kushte të tilla, Qeveria normalisht bisedon me të gjithë përfaqësuesit e sindikatave dhe jam i sigurt se në fund të ditës do të gjejmë një zgjidhje që do të jetë e kënaqshme për të dyja palët dhe të punëtorëve dhe gjithsesi të atyre që paguajnë taks për ti paguar këto paga,” tha Kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski foli edhe për pagesën e pagës minimale në sektorin publik ku në disa institucione ka ngecje, përkatësisht ende nuk është paguar paga minimale deri në 18.000 denarë.
“Gjatë miratimit të Ligjit për pagën minimale thashë se të gjithë do të marrin pagë minimale prej 18.000 denarë dhe për këtë është e nevojshme të ndryshohen disa ligje, të cilat aktualisht janë në procedurë parlamentare. Prandaj Qeveria javën e kaluar ka miratuar një konkluzion me të cilin do t’u mundësohet atyre që nuk do të marrin pagë deri në 18.000 denarë këtë muaj që të paguhet ajo diferencë sapo të miratohet ligji i përshtatshëm për punonjësit administrativë”, tha Kryeministri Kovaçevski.