“Gjuha shqipe nuk është gjuha ime amtare, por gjuha shqipe është gjuha ime vëllazërore.” Kështu midis tjerash u shpreh kryetari i Qeverisë, z. Dimitar Kovaçevski, në akademinë solemne me rastin e 114 vjetorit të Kongresit të Alfabetit, mbajtur sot në Shkup.
Jemi këtu në përvjetorin e krijimit të alfabetit shqip në vitin 1908. Me përfundimin e Kongresit të Manastirit, fillon përdorimi i alfabetit të standardizuar të shqipes dhe shtypshkronja e parë që do të shtypë veprat e para me alfabetin shqip, duke përfshirë abetare, libra leximi dhe të përjavshmen “Bashkimi i kombit”, theksoi Kovaçevski në fillim të fjalës së tij.
Më poshtë fjalimi i plotë:
Është një kënaqësi dhe nder i veçantë për mua që jam sot këtu për të festuar 114 vjetorin e standardizimit të alfabetit të shqipes.
Sot jam këtu, para së gjithash i vetëdijshëm se sa rëndësi ka për mua gjuha dhe alfabeti im maqedonas dhe sa i nderuar jam kur respektohet gjuha ime. Prandaj të njëjtin respekt e bëj çdo herë dhe për çdo gjuhë që nuk është gjuha ime amtare. Sepse gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi për të kuptuar njëri-tjetrin, ajo është pjesë e identitetit dhe kodit tonë gjenetik.
Akti i vlerësimit dhe nderimit të gjuhëve, tregon një mënyrë evropiane, të qytetëruar dhe përparimtar të funksionimit në botë.
Gjuha shqipe nuk është gjuha ime amtare, por gjuha shqipe është gjuha ime vëllazërore.
Jemi këtu në përvjetorin e krijimit të alfabetit shqip në vitin 1908. Me përfundimin e Kongresit të Manastirit fillon përdorimi i alfabetit të standardizuar të shqipes dhe fillon punën shtypshkronja e parë që do të shtypë veprat e para me alfabetin shqip, duke përfshirë abetare, libra leximi dhe të përjavshmen “Bashkimi dhe Kombit”.
Me 36 shkronja latine, alfabeti i shqipes i miratuar në këtë Kongres, përdoret edhe sot. Me këtë standardizim shkruhen shumë vepra në gjuhën shqipe, por edhe shumë vepra ndërkombëtare përkthehen në gjuhën shqipe, gjë që kontribuon në zhvillimin e shkëlqyeshëm shkrim-leximit dhe arsimimit dhe lidhjes me kombet e tjera.
Kongresi i Manastirit konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në historinë e shqiptarëve. Është dita e themelimit të karakteristikave identitare shqiptare. Ato karakteristika identitare janë aq të forta, sa besoj se nuk ka asnjë prej nesh të pranishëm këtu që nuk i njeh përmendësh. Brenda një jave, mes 14 dhe 22 nëntorit 1908, të gjithë figurat e rëndësishme politike dhe nën kryesimin e kryetarit të Kongresit, Mitat Frashëri, rrumbullakuan një nga tiparet më domethënëse të identitetit dhe miratuan alfabetin.
Është detyrë e jona, si qytetarë dhe si shtet, të respektojmë dhe ruajmë gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Shoqëria jonë është e njohur për karakterin e saj multikulturor por edhe për vlerat e saj evropiane në të cilat ushqehet çdo diversitet.
Jo vetëm sepse rruga jonë është e trasuar drejt Evropës, por sepse historia jonë është e mbushur me shembuj se si jetohet pikërisht me vlera të tilla. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për Manifestin historik të Krushevës apo për shoqërinë aktuale “Një shoqëri për të gjithë” apo për për një varg të tërë ngjarjesh dhe koncepteve që nxisin ruajtjen dhe unitetin mes popujve që jetojnë këtu. Ky nënqiell përherë ka jetuar në tolerancë dhe mirëkuptim.
Historia jonë ishte gjithmonë në anën e duhur. Në anën e respektit dhe pranimit të ndërsjellë me të gjithë popujt që kanë jetuar këtu dhe do të jetojnë këtu. Kjo është ajo që nënkuptojmë kur themi se kemi një mënyrë dhe frymë evropiane.
Ajo sjellje dhe frymë evropiane ndikoi dhe mori mbështetjen e bashkësive tona në të tashmen, kur ishte e domosdoshme të ruanim rrugën tonë evropiane pa humbur historinë, identitetin dhe gjuhën. Këtu qëndron fuqia e unitetetit tonë që s’ka çmim, që jetojmë së bashku.
Sot, unë personalisht, si kryetar i pushtetit ekzekutiv, si maqedonas, si qytetar i atdheut tim, jam i lumtur që jemi të gjithë së bashku në rrugën e ruajtjes së gjuhës amtare maqedonase dhe për këtë do t’u jem pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që ndihmuan në këtë rrugë.
Kur po negocionim me BE-në, pranë meje ishte ulur Bujar Osmani. Unë dhe B. Osmani në të njëjtën mënyrë mbronim gjuhën maqedonase. Ai e respekton gjuhën maqedonase ashtu siç e respektoj edhe unë gjuhën shqipe.
Në këtë kontekst, dua t’ju siguroj se do të angazhohem vazhdimisht që asnjë gjuhë tjetër amtare të mos përballet me një sfidë të tillë.
Ne duhet ta ruajmë gjuhën amtare, ta kremtojmë, ta ushqejmë që të bëhet e pavdekshme. Dhe, që kjo të ndodhë, duhet të sigurohemi që të gjithë ta përdorin në mënyrë korrekte dhe në mënyrë aktive në jetën e tyre të përditshme, në të gjithë vendin dhe jashtë tij.
Nëse qytetarët nuk e flasin gjuhën, ajo zbehet gradualisht derisa të mos zhduket. Kjo është një arsye më shumë që ne si Qeveri të tregojmë me veprime dhe të motivojmë të gjithë, veçanërisht të rinjtë, që ta përdorin sa më shumë dhe saktë gjuhët amtare dhe t’i zhvillojnë ato. Ato janë mjete për ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë shpirtërore të komunitetit.
Një motivim i tillë vjen nga masat shtetërore që po marrim, por vjen edhe nga kremtimi i traditave dhe datave tona, që na kujtojnë për rëndësinë e ruajtjes, si të vetes, ashtu edhe të asaj që është e ndryshme nga e jona. Vetëm në këtë mënyrë mund të vazhdojmë të ndërtojmë unitet me një të ardhme evropiane.
Kjo është mënyra e vetme për të arritur prosperitetin. Kjo tregon veçantinë e shoqërisë sonë. Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqip.
Faleminderit.