Kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se Qeveria në periudhën e ardhshme do të organizojë mbledhje me transportuesit privat që të njoftohet me problemin e tyre dhe nëse ka mundësi, në kuadër të kompetencave të pushtetit qendror të ndihmojë që të zgjidhet, njofton Portalb.mk.
Kovaçevski e përshëndeti vendimin e transportuesve privat që t’i largojnë autobusët me të cilët e bllokuan komunikacionin në Shkup, duke protestuar për mospagimin e borxhit nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) dhe Qyteti i Shkupit.
Përveç transportuesve privat, ai theksoi se në mbledhje do të ftohen edhe përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit dhe NQP-së.
“E përshëndes vendimin që t’i lirojnë rrugët. Paraprakisht thash se nën shantazhe dhe trysni nuk caktoj mbledhje, ata i larguan autobusët. Gjithashtu thash se Qeveria nuk ka kurrfarë kompetenca në pjesën e organizimit të transportit publik në Qytetin e Shkupit ose në cilëndo komunë, megjithatë unë si kryeministër dhe si ne si Qeveri treguam se kemi përgjegjësi ndaj të gjitha proceseve në shtet në të cilat mundemi të ndihmojmë. Në periudhën e ardhshme do të organizojmë takim në të cilin do të ftohen përveç transportuesve privat edhe përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit dhe NQP-së me qëllim që të mundemi të informohemi se për çfarë problemi bëhet fjalë, pasi që Qeveria nuk ka informata për çfarë marrëveshje konkrete bëhet fjalë”, theksoi kryeministri.
Nëse ka mundësi dhe ajo është në kuadër të kompetencave të pushtetit qendror, kryeministri Kovaçevski tha se Qeveria do të ndihmojë të zgjidhet problemi.
“Pasi që t’i njohim informatat, atëherë nëse ka mundësi në kuadër të kompetencave të Qeverisë që të ndihmohet me aktivitete përkatëse që të zgjidhet ai problem, atëherë mundemi edhe të ndihmojmë. Megjithatë në fund të ditës, vendimi, kompetenca, përgjegjësia është në duart e Qytetit të Shkupit, domethënë kryetarit të Qytetit, Këshillit, ndërmarrjeve publike dhe anëtarëve të bordeve drejtuese”, tha kryeministri.
Për problemin me transportuesit privat, Kovaçevski e akuzoi VMRO-DPMNE-në dhe partnerët e tij të koalicionit, pasi siç tha, deri para një viti, gjegjësisht gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhje lokale besuan në transport autobusi falas.
“Këtë problem e krijoi VMRO-DPMNE me partnerët e tij të koalicionit, të cilët deri para një viti premtuan në Shkup modern me transport autobusi falas, me autobusë elektrik, me fabrikë për autobusë elektrik. Prej asaj shohim se asgjë nuk ka, mbetën vetëm problemet të cilat rriten dhe të cilat në fund vijnë që të zgjidhen në Qeveri. Kështu ishte edhe me ngrohjen qendrore ja e shohim dhe ja shohim edhe një problem për të cilin ka kompetencë Qytetit i Shkupit”, tha kryeministri.