Kovaçevski: Nesër pres nga deputetët që të mendojnë si burrështetas, si përfaqësues të popullit

min lexim

Për vendimin në Kuvend, pres diskutim të frytshëm dhe thelbësor, pres që deputetët të jenë në nivelin e detyrës që kanë para tyre dhe se do të mendojnë si burrështetas dhe me maturi, siç u ka hije, si përfaqësues të popullit, e jo vetëm të partive politike, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistë për MIA-n, lidhur me pritjet nga seanca e nesërme në Kuvend, në rend dite të së cilës është propozimi francez.

Kovaçevski theksoi se fillimisht do të hapet diskutim në Kuvend, e më pas do të miratohen konkluzionet, me të cilat Qeveria do të obligohet të veprojë në përputhje me disa parime nga të cilat nuk do të lejohet të devijohet dhe të gjitha këto me qëllim të mbrojtjes së pozicioneve, të cilat, siç tha, për ne si shtet janë më të rëndësishmet në të gjithë këtë proces.

“Në këtë drejtim, LSDM-ja po bën përpjekje që të arrihet deri te një propozim i konkluzioneve që do të ishin të pranueshme për të gjitha palët dhe që do të hapin rrugën për pranimin e propozimit dhe do të mundësojnë fillimin e bisedimeve”, theksoi Kovaçevski.

I pyetur se pse nevojiten fare konkluzionet e tilla, nëse nuk kanë ndikim në propozimin, Kovaçevski shprehet se konkluzionet që do të miratohen praktikisht do ta obligojnë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut që në procesin e bisedimeve të kujdeset jashtëzakonisht për vijat tona të kuqe, respektivisht të angazhohet për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe të gjitha specifikat tona të ruhen dhe mbrohen.

“Ne e dimë se kush jemi dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë. Ne jemi maqedonas, flasim gjuhën maqedonase dhe kemi veçori specifike kulturore, tradita dhe zakone që i ruajmë dhe i respektojmë çdo ditë. Dhe me atë mendim dhe në atë mënyrë po bëjmë hapin e parë drejt BE-së, kështu do të hyjmë në BE, si maqedonas me gjuhën dhe identitetin tonë maqedonas”, deklaroi Kovaçevski në intervistën për MIA-n.

Në pyetjen se a po mbrohet vërtet gjuha maqedonase dhe druajtjet se ka kurthe, sidomos me deklaratën e njëanshme, Kovaçevski përgjigjet se me fillimin e bisedimeve i gjithë legjislacioni i BE-së do të përkthehet në gjuhën maqedonase.

“Çdo fjalë e folur apo e shkruar do të thuhet dhe shkruhet në gjuhën maqedonase. Nuk ka konfirmim dhe mbrojtje më të madhe për një çështje të rëndësishme të identitetit se kjo. Kjo e mbyll njëherë e mirë çështjen e identitetit”, shton ai.

Lidhur me protokollin, nëse është harmonizuar, nëse e ka parë dhe kur do të jetë në dispozicion për opinionin, Kovaçevski përgjigjet: “Së pari dua të jetë e qartë – protokolli është në fakt një procesverbal i një takimi mes ministrive të punëve të jashtme, një dokument dypalësh që nuk e kushtëzon kornizën e bisedimeve. Në fakt, protokolli nuk përmendet as në kornizën e bisedimeve. Aq më tepër, protokolli konfirmon se nuk është i lidhur dhe nuk e kushtëzon fillimin e bisedimeve. Për këtë arsye, apeloj që të mos spekulohet për përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij dokumenti”.

Kryeministri thotë se ajo që është e rëndësishme të dihet për protokollin është se ai bëhet në bazë të reciprocitetit.

“Ne insistojmë në këtë. Kjo do të thotë se detyrimet apo detyrat që ne dhe Bullgaria do t’i vendosim vetes si dy shtete, në mënyrë dypalëshe, janë të vlefshme për të dyja palët. Askush nuk ka mandat të pranojë kërkesa të njëanshme dhe as nuk mund të veprojë sipas tyre. Reciprociteti si parim është bazë për çdo gjë që bëhet”, shtoi Kovaçevski.

Kovaçevski në intervistë u referohet protestave, mundësisë së përafrimit të pikëpamjeve me opozitën, stabilitetit të koalicionit qeveritar, por edhe temave ekonomike në kohën kur në Kuvend po miratohet rebalanci i buxhetit, si dhe përgjigjet e duhura ndaj krizës ekonomike.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Lideri i opozitës ruse arrestohet për përhapjen e lajmeve të rreme

Story i radhës

Borell: Mbështesim me përkushtim Ballkanin Perëndimor

Të fundit nga