Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski në margjinat e vizitës së tij të punës në Republikën e Greqisë, me rastin e pjesëmarrjes në Forumin ekonomik Delfi, realizoi takim me ministren austriake për Çështje Evropiane, Karolin Edshtadler në të cilën e shprehën kënaqësinë e ndërsjellë nga marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy vendet e cila shprehet edhe në mbështetjen e padyshimtë të Austrisë për procesin eurointegrues të vendit, njoftoi sonte shërbimi për shtyp i Qeverisë.
“Austria është një nga investitorët më të mëdhenj në vend me mbi 45 kompani të pranishme në tregun e vendit tonë”, tha kryeministri Kovaçevski në takim dhe shtoi se është paralajmëruar interesimi i kompanive austriake për të investuar në energjetikë, ndërtimtari, banka dhe sigurime.
Kovaçevski dhe Edshtadler diskutuan për mundësitë për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, për të cilat, siç theksojnë nga shërbimi për shtyp i Qeverisë, potenciali shihet në rritjen e qëndrueshme të tregtisë, e cila vitin e kaluar arriti në 200 milionë euro, që është një rritje në krahasim me vitin 2020 kur këmbimi tregtar arriti në 176 milionë euro.
Lidhur me interesin e përbashkët për çështjet e procesit integrues të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Kovaçevski në takim tha se tani është koha e përkryer për të përshpejtuar urgjentisht procesin e hapjes së bisedimeve për Maqedoninë e Veriut, sepse zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor duhet të të shihet nga një këndvështrim gjeopolitik, si një çështje sigurie thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe Evropës.