Përplasjet brenda Aleancës për shqiptarët që u shndërruan në incidente me rrahjen e drejtorit të Agjencisë për Menaxhim me Pronë të Konfiskuar, Driton Nebiu, por edhe me kërcenim ndaj kryetarit të partisë, Arben Taravari, para shtëpisë së të cilit ishte gjetur një plumb, sipas ish-kryeministrit Kovaçevski janë punë serioze dhe shqetësuese. Ai edhe sot tha se gjithçka që ndodh në ASh është çështje brendapartiake, por incidentet e këtilla duhet t’i zbardhë Ministria e Punëve të Brendshme.
“Normal se më shqetëson. Me sa di unë dhe aq sa jam informuar Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka intervenuar në rastin me përleshjen fizike që ndodhi dje në Tetovë ku u sulmua drejtor i një institucioni qeveritar nga një person që është identifikuar me emër dhe mbiemër. Mendoj se Ministria e Punëve të Brendshme duhet ta përfundojë këtë dhe nëse edhe ky informacion që e ndatë tani është i saktë, atëherë gjithashtu duhet të ndërhyhet në mënyrë rigoroze, në rast se ndodh diçka e tillë”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Dy ministrat nga radhët e ASH e përkrahin kryetarin aktual Taravari, ndërsa një është në anën e ish kryetarit të partisë, Sela. Sa do të ndikojnë gjendjet e këtilla brenda partisë në funksionimin e qeverisë teknike? Sipas Kovaçevskit kjo nuk guxon të ndikojë dhe duhet të ndahet pjesa politike nga ajo profesionale.
“Në qeverinë teknike, ministrat kanë mandat të zbatojnë zgjedhje të drejta dhe demokratike dhe e dyta, ta vazhdojnë programin e Qeverisë ku janë zgjedhur, e ky është programi i qeverisë nga 2022. Mendoj se nuk duhet të përzihet pjesa politike me atë profesionale që e zbatojnë ministrat. Megjithatë mendoj se bëhet fjalë për profesionistë që mund të përballen me detyrat e tyre politike por edhe me detyrat profesionale”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Ndodhitë në ASH përshkallëzuan pasi kryetari i partisë, Arben Taravari paralajmëroi se në zgjedhjet do të dalë me opozitën shqiptare, gjë me të cilën nuk pajtohet ish kryetari Ziadin Sela i cili kërkoi që të thirret Kuvendi i partisë që të kërkohet përgjegjësi nga Taravari.
Burimi: tv21