Drejtori i Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV), Vasko Kovaçevski në një intervistë televizive tha se pret një rritje të caktuar të çmimit të rrymës, por siç tha ai po bëhen përpjekje ajo të jetë minimale.
Kështu deklaroi ai në emisionin “360 gradë” në Alsat.
“Duke marrë parasysh që kemi kosto prodhimi, çmime të rritura të energjisë dhe kemi sasi shtesë të energjisë elektrike që do të na duhet ta prodhojmë, një pjesë e saj mund të duhet edhe të prokurohet, supozimi im është, siç e thashë një muaj më parë, është e pritshme se do të ketë rritje të çmimit të rrymës, por tani po bëjmë të gjitha përpjekjet që të jetë një rritje minimale ose e lehtë”, tha Kovaçevski.
Ndryshe, kriza energjetike ka vështirësuar dukshëm punën e kompanive vendore si dhe amvisërive, duke i vendosur përballë sfidës për të paguar fatura me çmime dukshëm më të larta se sa faturat e disa muajve të mëhershëm.