Nuk ka ndryshim në qëndrimin e Shkupit për propozimin francez, në këtë formë nuk është i pranueshëm dhe negociatat vazhdojnë, shkruan Alsat.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, thotë se tani negociatat me Sofjen po zhvillohen në nivel ekspertësh dhe sipas zëvendëskryeministrit Bojan Mariçiq, vendi nuk mund të pranojë propozim, që nuk është në përputhje me qëndrimet kombëtare.
“Ministria e Jashtme, me ekipet e saja të ekspertëve, është duke biseduar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë. Në momentin kur do të ketë propozim të pranueshëm nga të dyja palët, atëherë ky propozim mund të vendoset në institucionet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për momentin nuk ka një propozim të tillë”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
“Formulimi i qartë i gjuhës maqedonase në kornizën negociatore dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas, përjashtimi i çështjeve historike nga korniza negociuese, dhe fillimi i negociatave për anëtarësim para se të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane .
Eurodeputetët që vizituan Kuvendin, thanë se i kuptojnë vijat e kuqe të vendit dhe se është e rëndësishme të flasim për të ardhmen, jo për historinë. Megjithatë, disa prej tyre thanë se është koha për vendime të guximshme, të cilat sjellin me vete një çmim politik.
“Unë do të mbetem optimiste dhe besoj se së shpejti do të mund ta lavdërojmë progresin konkret, madje edhe marrëveshjen që besoj se mund të ndodhë, vetëm se duhet vullnet politik”, theksoi Irena Joveva – eurodeputete nga Sllovenia.
“Situata aktuale është një humbje e trefishtë. Humb Maqedonia e Veriut, humb Bullgaria, humb Bashkimi Evropian. Është koha për vendimmarrje të guximshme, qasje vizionare dhe miqësi”, tha Ilhan Kyçyk – eurodeputet nga Bullgaria.
Fatkeqësisht, në Samitin e BE-së, nuk pati mundësi të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por përpjekjet vazhdojnë dhe jam i vetëdijshëm për frustrimet e publikut”, u shpreh Dejvid Gir- Ambasador i BE-së në Shkup.
Nëse do të ketë një hap drejt fillimit të negociatave mes Shkupit dhe Brukselit do të dihet deri të enjten, kur është dita e fundit e presidencës franceze me BE-në, pas së cilës Republika Çeke do të kryesojë Këshillin, e cila nuk e ka procesin e zgjerimit të BE-së në prioritetet e saja.