Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka pritur sot në vizitë ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, në kuadër të aktiviteteve për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Butelit dhe institucioneve lokale e qendrore të Republikës së Kosovës.
Takimi u zhvillua në SHF “Liman Kaba” në Luboten, ndërsa në fokus ishte thellimi i marrëdhënieve dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët.
Sipas Kostovskit, theks i veçantë iu kushtua arsimit, zhvillimit lokal, ekonomisë, infrastrukturës, kulturës dhe të rinjve.

“Po ndërtojmë ura bashkëpunimi, miqësie dhe partneriteti me fqinjët tanë”, ka theksuar Kostovski, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut të hapur dhe respektit të ndërsjellë.
Nga Komuna e Butelit bëjnë të ditur se edhe gjatë periudhës së kaluar është realizuar bashkëpunim me komunat e Kosovës, përmes të cilit janë siguruar projekte të rëndësishme të mbështetura nga Bashkimi Evropian.
Një prej përfitimeve të këtyre projekteve, sipas Kostovskit, është përmirësimi i mjedisit jetësor, menaxhimi më modern i mbeturinave dhe rritja e ndërgjegjësimit ekologjik te qytetarët.
“Vazhdojmë së bashku me ide të reja, partneritete të reja dhe rezultate konkrete”, ka thekuar kryetari i Butelit, Darko Kostovski.

