Komuna e Butelit ka ndërmarrë aksion për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara në lagjen Shkup Veri, pas ankesave të qytetarëve për vendosjen e bllokuesve metalikë në parkingjet publike.
Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka bërë të ditur se ekipet komunale kanë larguar bllokuesit e vendosur në mënyrë të paligjshme, duke rikthyer në shfrytëzim të qytetarëve vendparkimet që ishin uzurpuar.
Kostovski thekson se hapësirat publike janë pronë e përbashkët dhe askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë ato për interesa private.
Ky aksion është pjesë e angazhimeve të komunës për të ndërhyrë në terren dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të banorëve në të gjitha vendbanimet e Butelit, pa dallime mes lagjeve apo komuniteteve që jetojnë në to.


