Reporteri i njohur sportiv Televizionit shtetëror, Atanas Kostovski, si duket nuk mund të gjejë rehati si pensionist duke parë sjelljen e partisë VMRO-DPMNE, ndaj këto ditë deputetëve të saj u është drejtuar me një letër të hapur, ku ai i përkujton në faktet që ata i heshtin, siç është njohja e shtetit dhe gjuhës maqedonase në OKB e deri te ndryshimet kushtetuese, me të cilën, sipas tij, vërtetohet se populli maqedonas dhe ai bullgar janë dy popuj të ndryshëm. Ua kujton edhe mohimin e gjuhës maqedonase nga vetë VMRO-ja dhe shumëçka tjetër…
Ja çka u shkruan 44 deputetëve të VMRO-së reporteri i njohur.
“Të nderuar zotërinj, në numër jeni 44, pa ju nuk ka shumicë të dy të tretave, nuk ka dritë jeshile për ndryshimet kushtetuese. Nuk ju njoh personalisht, mendoj se kam shkëmbyer vetëm një a dy fjalë me Antonio Milloshoskin para një dekade e gjysmë, para ish-parkingut të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe me Nikolla Micevskin në Pazarin e Gjelbër dhe për këtë arsye është me vend që t’ju prezantohem.
Sipas librit të lindjes, Atanasie Borivoe Kostiq, sipas të dhënave kishtare Atanasko Kostov, në letërnjoftim, nga ana tjetër, Atanas Borisov Kostovski. Me këtë emër kam studiuar, kam punuar, “gryka” pensionin në Maqedoninë Demokratike, Federale, Popullore, Socialiste, ish-Maqedonisë Veriore. GJITHMONË MAQEDONI
Mendoj se jemi në rrugë të mbarë për të arritur atje për ku jemi nisur. E di, ju keni përgatitur tashmë 44 rreplika. Ju i referoheni zërit të popullit, a e pyetët popullin për mosvotimin tuaj të ligjit, që kamatat të mos jenë më të mëdha se borxhi bazë dhe Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase. Ju silleni sikur jeni honorarxhinj që punoni me përmbarues ose, sikur të keni gjuhë rezervë, gjegjësisht atdhe(rezerv).
Ngapak jam i inatosur edhe me kolegët e mi gazetarë që duhet t’ju kishin vënë në shtyllën e turpit për këtë veprim tuajin. ‘Gjuha është atdheu ynë” (Blazhe Koneski), falë gjuhës amtare maqedonase si shenjë e identitetit personal, specifikën e saj e përhapim në Sofje, Tiranë, Athinë, Beograd, Moskë, Buenos Aires, Montreal… Unë nuk di tjetër shtet tjetër, besoj as ju, anëtar i Kombeve të Bashkuara, në të cilin zyrtarisht gjuha zyrtare është gjuha maqedonase.
Më vjen keq që kolegët e gazetave të përditshme maqedonase e humbën rastin në ditët e diskutimit për propozimin francez për të pasur një ballinë spektakolare ose mbresëlënëse nga terreni gjuhësor i Bashkimit Evropian me titullin Maqedoni – Bullgari 26:1. Po, këto ditë të gjithë sytë dhe veshët tanë maqedonas do të jenë të përqendruar në Kuvendin tonë. Do të përsërisni fjalët e liderit tuaj: krim, arrestojmë, diktat bullgar, zgjedhje të parakohshme. Por, të nderuar bashkëqytetarë, deputetë të VMRO-DPMNE-së, ju e keni fjalën. Në Kushtetutën tonë zyrtarisht mund të shkruhet “se populli maqedonas, së bashku me atë shqiptar, serb, turk, bullgar…” do të thotë, bardhë e zi, gjithmonë do të shkruhet se ekzistojnë dy popuj – maqedonas dhe bullgar.
Nuk është diktat i dikujt, por nevojë e kohës, e votës tuaj, për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve dhe nipërve tuaj. Edhe pse e di që ju e dini shumë mirë që diktimi është për nxënëset, jo për bankat parlamentare. Ju keni mundësinë me diktatin e ndërgjegjes suaj, njerëzore dhe parlamentare, të shtypni sustën e gjelbër dhe të bëheni një parti e vërtetë demokratike për shpresën dhe bashkimin maqedonas, përndryshe do të mbeteni përgjithmonë vetëm një parti diktatoriale me unitet misterioz noterial”.