Komuna e Butelit ka nisur kontrolle të përforcuara inspektuese në të gjithë territorin e saj, në koordinim me shërbimet inspektuese të Qytetit të Shkupit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, përmes një njoftimi në Facebook, duke theksuar se aksioni ka për qëllim evidentimin dhe sanksionimin e shkeljeve të dispozitave ligjore.
Sipas Kostovskit, nën mbikëqyrje të shtuar janë vendosur disa objekte për të cilat ekzistojnë dyshime se funksionojnë në kundërshtim me ligjin. Inspektorët po kontrollojnë dokumentacionin e ndërtimit, ligjshmërinë e pjesëve të ndërtuara dhe të shtuara të objekteve, lejet për vendosjen dhe shfrytëzimin e terasave, si dhe respektimin e obligimeve të tjera ligjore.
Paralelisht, po zhvillohen edhe kontrolle të shtuara në komunikacion, ku po shqiptohen gjoba për automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt në vendkalimet për këmbësorë, shtigjet e biçikletave dhe hapësirat e gjelbra.
Kryetari Kostovski ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim vendosjen e rendit, rritjen e sigurisë dhe respektimin e ligjeve.
“Në Komunën e Butelit nuk ka selektivitet në zbatimin e ligjeve. Rendi dhe ligjshmëria janë obligim për të gjithë qytetarët”, thekson Kostovski në njoftimin e tij.


