Një nga bllokadat më të mëdha në veri të Kosovës në Rudare, afër Zveçanit, ende nuk është larguar nga rruga edhe pas paralajmërimit se barrikadat do të fillojnë të largohen nga mëngjesi i ditës së enjte, raporton Anadolu Agency (AA).
Barrikada në Rudare, ku 14 automjete, përfshirë kamionë, cisterna dhe autobusë që nga 10 dhjetori kanë bllokuar rrugën Mitrovicë-Leposaviq, por pas barrikadës pothuajse nuk ka njerëz që bëjnë roje.
Gjatë ditëve të fundit, dhjetëra serbë lokalë, si dhe persona të maskuar, e ruanin atë barrikadë me turne, gjatë ditës dhe natës.
Sot, pas barrikadës, tenda ku qëndronin këta persona është bosh dhe mund të shihen vetëm pak njerëz që qarkullojnë.
Përballë barrikadës, nga drejtimi i Mitrovicës, janë vendosur tre automjete të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), ndërsa të pranishëm janë edhe shumë ekipe mediatike, në pritje të nisjes së heqjes së barrikadës.
Ndonëse për ditën e sotme është paralajmëruar heqja e barrikadave, ende nuk dihet se kur do të fillojë ajo.
Vendimi për heqjen e barrikadave nga rrugët është marrë pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mbajtura në Rashkë, një qytet serb në afërsi të kufirit me Kosovën.
Kushtet për heqjen e barrikadave u krijuan pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e zëvendësoi masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për arsye shëndetësore dhe për mungesë kushtesh për të.