Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se çnjohja e Kosovës nga Togo ka ndodhur në vitin 2019, e jo në mandatin e Qeverisë aktuale të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet rrjeteve sociale, ministrja Gërvalla ka reaguar pasi ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pyetur se “A ka Kosova politikë të jashtme?”.
“Të gjithë të ekzaltuarve rreth ‘çnjohjes’ së Togos dhe propagandës së Daçiqit dua t’iu rikujtojë që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiqit dhe Vuçiqit, jo vetëm rreth ‘çnjohjeve’”, shkroi Gërvalla.
“Të dhëmbin sytë kur sheh se sa shumë përjargen disa, sa herë që Sllobo i Vogël përpiqet t’i japë një shqelm Kosovës”, theksoi ajo duke shtuar se Kosova do ta fitojë edhe këtë sfidë, siç e fitoi betejën në vitin 1999, “me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike”.
“Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën. Daçiqi, Vuçiqi dhe të gjithë djelmoshat e tjerë të Kasapit të Ballkanit ndoshta edhe mund ta fitojnë ndonjë sprint, por Kosova dhe qytetarët e saj përfundimisht do ta fitojnë maratonën, siç e kanë fituar në vitet e 90-ta. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të sakrificës së dhimbshme dhe kolosale në rrugën tonë drejt lirisë”, përfundoi ministrja kosovare.
Gjatë ditës së djeshme, ministri i Punëve të Jashtme i Togos, Robert Dussey, duke folur në Beograd një konferencë të përbashkët për media me homologun serb, Ivica Daçiq, tha se vendi i tij ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Më vjen mirë që keni përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës, ajo tërheqje është përfundimtare”, tha Dussey.
Edhe nga Presidenca e Serbisë është thënë se ministri Dussey ka thënë “se Togo ka qëndrim të prerë për çështjen e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës”.
Togo kishte njohur pavarësinë e Kosovës më 11 korrik të vitit 2014.
Vendi i fundit që e njohu Pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, ishte Izraeli, më 1 shkurt të vitit 2021, duke u bërë vendi i 117-të.