Kombëtarja e Kosovës U19 është fituese e turneut “Roma Caput Mundi”.
Në ndeshjen finale, e cila u zhvillua sot në kryeqytetin italian, Dardanët U19 e kanë mundur Lazion U19, me rezultat 2:1, duke u konfirmuar për herë të dytë radhazi kampion të këtij eventi. Edhe në ndeshjen finale, skurse në tri ndeshjet e mëparshme, lojtarët e përzgjedhësit Ramiz Krasniqi treguan kualitet dhe vendosmëri për sukses.
Të parët në epërsi kaluan futbollistët e skuadrës italiane, në fillim të ndeshjes me golin e shënuar nga Bersaglia, por më pas Dardanët e përmbysën rezultatin me golat e Riad Jasharit nga penalltia në minutën e 15-të dhe Etnik Brrutit në pjesën e dytë.
Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi u shpreh i lumtur që për herë të dytë radhazi ekipi i tij e fitoi këtë turne, duke dëshmuar cilësi dhe kulturë të lartë sportive. Kosova e kishte fituar këtë turne edhe në vitin 2020, derisa në vitin 2021 ai nuk është mbajtur për shkak të pandemisë.
“Këtë turne e vlerësoi shumë pozitiv, ngase i kemi luajtur katër ndeshje me intensitet në një periudhë të shkurtër prej pesë ditësh.
Jemi bazuar kryesisht në ekipin që e kemi titullar, në mënyrë që ta shohim përgatitjen e tyre para ndeshjeve zyrtare.
Kemi hasur paksa vështirësi në ndeshjet me skuadrat më të dobta, si pasojë e motivimit më të vogël, por me ekipet e forta kemi treguar shumë seriozitet, angazhim dhe kualitet.
Në përgjithësi turneu ishte shumë i dobishëm, ngase e kemi pa në tërësi një grup të lojtarëve në të cilët mund të llogarisim, ku 12-13 lojtarë e kanë dëshmuar se e meritojnë të jenë pjesë e Kombëtares, derisa të tjerët që kanë pasur hapësirë më të vogël, do t’u jepet rasti herave tjera për t’i dëshmuar vlerat e tyre”, ka thënë Krasniqi.