Kombëtarja e Kosovës U17 ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e dytë në kuadër të rrethit të parë kualifikues për Euro 2023. Pas humbjes nga Italia (5:2), Dardanët U17 u mposhtën nga Greqia, me shifrat 5:0.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë nisi keq për djelmoshat e Arsim Abazit, të cilët pësuan gol në minutën e 7-të me golin e realizuar nga Panikidis. Pas pësimit të këtij goli Dardanët shpërdoruan disa mundësi të mira, teksa në minutën e 32-të e pësuan edhe golin e dytë, kur shënoi Tzimas.
Në pjesën e dytë futbollistët e Kosovës u vërsulën me të gjitha forcat në sulm në përpjekje për të ndryshuar fatin e këtij takimi, por lanë shumë hapësira në mbrojtje, të cilat i shfrytëzuan grekët, duke realizuar edhe tre gola tjerë (Tzimas 73’, Politakis 85’ dhe Mouzakitis 90’).
Në ndeshjen tjetër të Grupit 8, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, Italia e mposhti Finlandën, me rezultat bindës 4:0. Dardanët U17 ndeshjen e fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve e luajnë të martën kundër Finlandës.