Kosova shënon këtyre ditëve shtim të rasteve të reja me COVID-19 me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Fatmirësisht tani nuk ka raste të vdekjeve nga kjo sëmundje në Kosovë. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë për Radio Kosovën se nuk do të këtë shtrëngim të masave, por apelojnë për vaksinim.
Në Kosovë këtyre ditëve ka filluar të rritet dukshëm numri i rasteve pozitivë me COVID -19. Vetëm në dy ditët e fundit, numri i rasteve të reja me COVID -19 ka kaluar numrin 500.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha për Radio Kosovën se, të gjithë personat të cilët ndihën të rrezikuar, apo që mund t’u rrezikohet shëndeti i tyre nga ky virus, duhet ta bartin maskën në mjediset e mbyllura dhe t’i shmangin grumbullimet.
Sipas Gexhes, bartja e maskës dhe vaksinimi janë masat kryesore, por që tani për tani nuk do të ketë shtrëngim të masave të tjera, ka thënë ajo.
“Rritja e numrit të rasteve nuk është indikator për shtrëngimin e masave të mëtutjeshme. Masa më e mirë për të cilën bëjmë thirrje, është vaksinimi. Vaksina nuk të mbron qind për qind nga infeksioni por na mbron nga format e rënda të sëmundjes dhe nga vdekjet”, tha ajo.
Zëvendësministrja Gexha tutje shtoi se kanë miratuar rekomandimin për dozën e katërt të vaksinës anti-COVID-19 për grupmoshën mbi 60 vjeç, të paktën katër muaj pas marrjes së dozës së tretë. E qytetarët të cilët janë vaksinuar me dozën e tretë, thonë që do të vaksinohen edhe me dozën e katërt.
“Po, jam vaksinuar me 3 doza, dhe nëse ka nevojë e marr edhe të 4, kur i kam marr këto të tria, e marr edhe të katërtën. Po tash varet! Në qoftë se na preferojnë patjetër për udhëtime ose na e kushtëzojnë, sido që të jetë, duhet t’i respektojmë rregullat”, tha ajo.
Por ka edhe qytetarë të tjerë që mendojnë ndryshe për vaksinimin.
“Nuk po e shoh të nevojshme e as nuk është e arsyeshme. Veç kam pasur të shkoj ne Zvicër e Gjermani se as të parën e as të fundit nuk e kisha marr. Me ka munduar e para dhe e dyta e nuk mendoj ta marr njëherë se më kanë munduar shumë”, tha ajo.
Aktualisht në Kosovë, me dozën e parë dhe të dytë, mund të vaksinohen të gjithë personat mbi 12 vjeç. Ndërkaq, me dozën e tretë të gjithë personat mbi 18 vjeç. Që prej marsit të vitit 2020, kur në Kosovë u regjistruan rastet e para e deri më 7 korrik 2022, Kosova ka regjistruar gjithsej 230 mijë e 395 raste me koronavirus dhe 3 mijë e 140 vdekje nga ky virus.