Ditëve të fundit është rritur numri i rasteve të falsifikimit të parave, ku vetëm për periudhën janar – maj, në Polici janë raportuar 353 raste.
Në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës, thuhet se ka pasur rritje të këtyre rasteve nga viti 2020 në vitin 2021.
Gjatë vitit 2020, në Polici janë raportuar 498 raste të falsifikimit të parasë, ndërsa gjatë 2021-ës 866 raste.
Një rast i falsifikimit është raportuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Sipas këtij raporti, rasti ka ndodhur dje në Fushë Kosovë, ku punëtorja e një banke ka njoftuar se gjatë kontrollit të parave të deponuara, ka hasur në një kartmonedhë 50 euroshe, e cila dyshohet se është e falsifikuar.
Policia ka njoftuar se monedha është konfiskuar nga forenzika.
Çka parasheh Kodi penal për veprën penale “Falsifikimi i parasë”?
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me 1 deri 10 vjet burgim.
Ndërkaq, kushdo që duke ditur se paraja është e falsifikuar merr, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Çdo person që pranon paranë e falsifikuar prej pesëdhjetë euro ose më pak duke besuar se është e vërtetë dhe pastaj e përdorë duke ditur se është e falsifikuar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Poashtu, kushdo që ka dijeni për prodhimin apo përdorimin e parave të falsifikuara dhe këtë nuk e raporton, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Ndërsa, kur shuma e parave të falsifikuara e tejkalon vlerën prej 100 mijë euro, kryesi dënohet me jo më pak se tre vjet burgim.
Në Kod Penal thuhet se paraja e falsifikuar dhe pajisjet për prodhimin apo ndryshimin e saj konfiskohen.