Kosova, i vetmi shtet në rajon që s’ka vendim për qeset plastike

July 22, 2023
min lexim

Kosova mbetet i vetmi vend në rajon në të cilin qeset plastike shërbehen falas për konsumatorët. Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi janë disa nga vendet që për një qese plastike, duhet të paguash. Shqipëria, nga viti i kaluar, ka ndalur përdorimin e qeseve plastike

Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkan ku qeset plastike jepen falas. Në vendet e tjera të rajonit duhet paguar për qese plastike e madje në Shqipëri, nga viti i kaluar, është ndalur përdorimi i tyre.

Deri tani, në Kosovë për këtë çështje ka pasur vetëm paralajmërime.

Madje është thënë se nga fillimi i këtij viti, qeset do të bëhen me pagesë.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, disa kohë më parë pati deklaruar se nga data 1 janar 2023, qeset plastike në Kosovë do të bëhen me pagesë.

Edhe pse kjo datë tashmë ka kaluar, qeset plastike vazhdojnë të mos kenë çmim fare.

Zëdhënësja e kësaj ministrie, Linda Çavdarbasha, ka deklaruar se në këtë udhëzim administrativ kanë hasur disa mangësi për rregullimin e këtij sistemi, duke mos dhënë një afat se kur do të hyjë në fuqi udhëzimi administrativ.

“Ky udhëzim administrativ për ambalazh dhe mbeturinat e ambalazhit nuk rregullon vetëm çështjen e qeseve të plastikës, por edhe sistemin e rimbursimit të depozitave për shishet [xham, kanoçe dhe plastikë] dhe te kjo pjesë kemi hasur disa mangësi për rregullimin e këtij sistemi.

Andaj, jemi detyruar që ta shtyjmë miratimin e këtij udhëzimi derisa të rregullojmë dhe pjesën tjetër.

Vendosja e një çmimi për qeset plastike do të jetë fazë tranzitore, pasi synimi është që në të ardhmen të largohen nga përdorimi qeset e plastikës”.

Prodhuesit e qeseve kritikojnë Qeverinë

Pronari i njërës prej kompanive në Kosovë, që prodhon qese plastike, ka kritikuar udhëzimet administrative që dalin nga Qeveria e Kosovës.

Kujtim Gjevori ka thënë se këto udhëzime po vijnë nga shtetet europiane dhe si të tilla nuk mundet t’i përballojë ekonomia e Kosovës.

Z. Gjevori ka thënë se ky udhëzim administrativ do t’i dëmtojë bizneset prodhuese të vendit.

“Kosova ka bërë një udhëzim administrativ, i cili është sponsorizuar nga GIZ-i gjerman dhe kanë sjellë ekspertë me praktika të mira europiane, por fatkeqësisht ne nuk mundemi t’i bëjmë ligjet në interes të vendit tonë dhe vetëm ‘ad-hoc’ i implementojmë.

Dhe kjo shpeshherë sjell më shumë pasoja të dëmshme se sa dobi, sepse Kosova nuk është sikurse vendet europiane dhe çdo ligj nuk pranohet njëjtë.

Së pari, Kosova ende ka një ekonomi të dobët dhe kjo e bën të vështirë zbatimin e çfarëdo ligji. Udhëzimi Administrativ i Qeseve të Plastikës ndalon qeset njëpërdorimshe dhe lejon vetëm prodhimin e qeseve të trasha. Dhe mandatori e bën të detyrueshme pagesën minimale prej 15 centësh në mënyrë që qytetarët të përdorin më pak qese dhe ta përdorin atë më shumë”.

Ndër të tjera, ai shtoi se ky ligj do t’i dëmtojë prodhuesit vendas.

“Ky ligj sigurisht që do t’i dëmtojë prodhuesit vendas. Zakonisht në Europë, kur ndryshon ligji, jepen edhe alternativa dhe shteti të vjen në ndihmë. Në rastin tonë, këto praktika që i ka sjellë eksperti gjerman nga GIZ në tavolinë dhe Ministria i ka marrë parasysh, kanë qenë vetëm sa u përket ndalesave.

Por sa i përket ndihmesës së prodhuesve vendas, që të japin alternativa, nuk ka asgjë, dhe kjo do ta dëmtojë prodhimin vendas dhe do të ndalë një hap të cilin ne e kemi marrë”.

Ai shtoi më tej se institucionet nuk i kanë aspak parasysh barrierat nëpër të cilat po kalojnë bizneset, të cilat po e rrisin më shumë shifrën e eksportit jashtë vendit.

“Në industrinë tonë ne kemi arritur që gjitçka ta prodhojmë vetë. Jo vetëm atë, por ne eksportojmë edhe në Bashkimin Europian. Dhe sektori privat është shumë më shumë i përgatitur se sa ai publik në aspektin e legjislaturës së qeseve plastike, riciklimit e të tjera.

Ne jemi të detyruar që të marrim mbeturinat e qytetarëve që të përpunohen, riciklohen dhe të prodhohen qeset. Fatkeqësisht kjo nuk është marrë parasysh dhe tani ne jemi duke u ballafaquar me investime të reja, të cilat duhet t’i bëjmë vet. Nëse e shikojmë, industria plastike është më e forta në Kosovë dhe ka qenë”.

Z. Gjevori është shprehur kategorik që letra nuk mundet ta zëvendësojë në asnjë mënyrë qesen e plastikës.

Duke filluar nga mundi i prodhimit e deri te pesha që ato mbajnë, duke shtuar se letra nuk është në asnjë formë alternativë zëvendësuese.

“Ne si shoqëri jemi pak të informuar në pjesën e ndotjes së ambientit dhe të produkteve që e ndotin. Letra në asnjë formë nuk është më e mirë se qesja. Në të vërtetë, nëse e hedh është shumë e dëmshme.

Pesha që bart qesja me trashësi 10 mm në krahasim me letrën në trashësi 10 mm, letra është shumë më e dobët, që i bie se 100 mm letër duhet të prodhohet më shumë për të arritur të njëjtën forcë të qeses dhe në fund, letra vjen shumë më e dobët dhe më e dëmshme se sa qesja”.

Madje edhe ndërrimi i prodhimit nga qeset plastike në ato të letrës sipas tij është i pamundur, pasi nuk kanë përkrahje nga shteti.

Edhe pse qytetarët do ta paguajnë qesen e plastikës, z. Gjevori thotë se në këtë rast do të përfitojnë vetëm marketet. Sipas tij, qesja sërish do të kryejë të njëjtin funksion, vetëm se është më e vështirë për qytetarët.

“Qytetarët, edhe nëse e marrin qesen është e vërtetë që nuk e kanë hedhur, por vetëm e kanë përdorur si mbeturinë. Në këtë rast do të përfitojnë vetëm zinxhirët e marketeve, të cilët do ta shesin atë qese, dhe thesin e mbeturinave, dhe qytetari një send që e ka marrë falas tani vetëm do ta paguajë dhe do të hedhë mbeturinën në të njëjtën mënyrë si më herët.

Por më mirë do të ishte që qytetarët qeset t’i marrin falas, t’i riciklojnë dhe t’i shesin me pagesë, pasi plastika mund të ripërpunohet dhe të mos i humbë vetitë deri në 11 herë”.

 

Prodhuesit e letrës e kërkojnë “zhdukjen” e qeseve

Mirëpo, me këtë qasje nuk pajtohen të gjithë. Prodhuesit e letrës mendojnë se është e domosdoshme që qeset plastike të zëvendësohen.

Nga kompania e letrës “Papper Lapapp” e cila është hapur së fundmi, kanë thënë se tashmë ka arritur vetëdijesimi i njerëzve që të mos përdorin qese plastike, por t’i zëvendësojnë ato me të letrës.

“Në Kosovë ka filluar që të vetëdijesohet qytetari për blerjen e qeseve të letrës. Në vendet fqinje kanë filluar që të largohen qeset e plastikës. Presim edhe në Kosovë që të hyjë në fuqi ligji për mospërdorimin e qeseve plastike dhe të përdorën sa më shumë qese prej letre, pasi mbrojnë mjedisin dhe për këtë shkak duhet patjetër një ligj që të përdorën vetëm qese të letrës”.

Arbër Bardhi, nga kjo kompani, mendon se bizneset kanë leverdi që të përdorin qesen e letrës pasi çmimi i saj nuk është i shtrenjtë.

Teksa shton se edhe pse Kosova është treg i vogël, kërkesat janë të mjaftueshme.

“Qeset e letrës tani më në treg nuk janë të shtrenjta dhe janë të përballueshme për bizneset, të cilat janë konsumues të këtyre qeseve të letrës. Kostoja është e përballueshme për çdo biznes që t’ua ofrojnë klientëve të tyre qesen e letrës”.

Bardhi thotë se furnizimi me lëndën e parë bëhet nga Europa, por asnjëherë, asnjë lëndë nga Serbia.

“Lëndën e parë e marrim nga Europa ashtu si na leverdis. Nuk marrim produkte të Serbisë. Zero produkte të Serbisë për prodhimin e letrës.”

 

Ambientalistët, qëndrime të ndryshme për qesen dhe letrën

Drejtori i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasani, organizatë e cila bën pastrimin e mjedisit, ka thënë se është vendim i ngutshëm i ministrisë që qeset e plastikës të bëhen me pagesë.

Sipas z. Hasani, edhe po të hynte në fuqi ky udhëzim administrativ, mënyra se si është tentuar të bëhet nuk do të zbatohej.

“Mendimi im është që ministria është ngutur në këtë rast, pavarësisht qëllimit të mirë për të marrë vendime që ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit. Konsideroj që paraprakisht nevojiten planifikime të menduara mirë dhe konsultime me njohësit e fushës.

Si dhe me grupet e interesit. Mendoj se edhe po të hynte në fuqi, me mënyrën se si është tentuar të bëhet, nuk do implemtentohej.

Ky është një proces që merr kohë dhe po ashtu kërkohet fushatë informuese. Ne kemi kërkuar që një pjesë e mjeteve nga shitja e qeseve të jepen për aktivitete mjedisore. Të mos harrojmë, edhe pse jemi ndër organizatat më aktive në vend, Ministria e Mjedisit nuk ka kërkuar asnjëherë sugjerime prej nesh.”

Por ka edhe ambientalistë që mendojnë se zgjidhja më e mirë për mbrojtjen e mjedisit është largimi i qeseve plastike dhe zëvendësimi i tyre me ato të letrës.

Egzona Shala Kadiu, aktiviste për mbrojtjen e mjedisit, ka thënë se qesja përdoret vetëm një ditë, por qëndrueshmëria e saj në mjedis është deri në 1000 vite.

“Qesja është një ndër produktet të cilat konsiderohen njëpërdorimshe mirëpo efektin e tyre në mjedis e kanë me mijëra vite, në varësi të vendit se ku gjendet, materiali ku përpunohen. Zbërthimi i tyre zgjat deri në 1000 vite, dhe kjo është një nga arsyet kryesore se pse qesja konsiderohet si produkt i dëmshëm.

Qesja e ka të vështirë të riciklohet në momentin kur ajo është e ndotur. Ndotja e saj arrihet shumë shpejt dhe është e vështirë të grumbullohet.

Brengën më të madhe e kemi që të mos jetë me përmbajtje që nuk mund të zbërthehet. Ka qese të cilat janë nga përmbajtja të zbërthyeshme, që prodhohen prej amidonit të patates dhe pasi ajo e kryen misionin e vet, bartjen e produkteve, hidhet. Nëse hidhet në sipërfaqen e tokës, ajo dekompozohet. Ky zbërthim zgjat në disa vite por që qesja shndërrohet në molekula të vogla”.

Ajo thotë se qeset njëpërdorimshe do të duhej të largohen nga përdorimi dhe të zëvendësohen me ato shumëpërdorimshe.

“Mënyra e zëvendësimit të qeseve është esenca që të zëvendësohen kryesisht me qese shumëpërdorimshe dhe të hiqet nga përdorimi qesja njëpërdorimshe dhe të shndërrohen në qese që janë me materiale të ndryshme të riciklueshme”.

Ndër të tjera, znj. Shala-Kadiu tha se qeset e plastikës që hidhen nëpër lumenj mund të jenë një nga shkaktarët për vërshime.

E po ashtu në shumë raste, tregon se kanë shkaktuar edhe zjarre.

“Qesja, me përmbajtjet e veta të ndryshme, fatkeqësisht mund edhe të jetë e rrezikshme, ku në kontaktin me mbeturinat kudo që ekspozohen mund të shkaktojnë edhe probleme si vërshimet dhe zjarret në pyje.

Nga mbeturinat brenda që janë nga bashkëdyzimi i tyre ka pasur raste të djegies së pyjeve. Te vërshimet, njëri ndër shkaktarët është edhe zënia e grykave të lumenjve nga qeset me mbeturina të ndryshme”.

Me largimin e qeseve plastike, sipas saj, qytetarët do t’i marrin më vete ato shumëpërdorimshe. Në këtë formë, ata edhe do të kursejnë, por edhe do ta ruajnë mjedisin. Qytetarët janë të mendimit që menjëherë të largohen qeset plastike nga tregu.

Edhe pse atyre do t’u kushtojë më shtrenjtë janë të gatshëm për ta mbrojtur mjedisin. Madje, sipas tyre, qeset e plastikës do të duhej që brenda këtij viti të zëvendësoheshin me ato të letrës. Ajo tha më tej se ka ardhur koha që Kosova të ndjekë shembujt e shteteve europiane.

Sipas të dhënave të autoriteteve në Kosovë, gjatë një viti, mesatarja e mbeturinave për frymë është 273 kilogramë apo 0.75 kilogram në ditë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021 janë grumbulluar 485 mijë tonë mbeturina komunale – ku përfshihen edhe qeset e plastikës.

Kosova mbetet i vetmi vend në rajon në të cilin qeset e plastikës njëpërdorimshme shërbehen falas për konsumatorët. Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi janë disa nga vendet që për një qese plastike duhet të paguash. Shqipëria, nga viti i kaluar, ka ndalur përdorimin e qeseve plastike./Monitor/

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ngjarja tragjike me 4 viktima në Gramsh, flet babai i të riut që u mbyt në liqen

Story i radhës

Kërkohet kushtëzimi i Serbisë nga BE-ja për ndriçimin e fatit të të pagjeturve

Të fundit nga

Zemra e Trump-it papritmas bën TikTok

„Sa i përket TikTok-ut, ne do ta ndalojmë atë në SHBA. Unë kam këtë fuqi. Mund ta bëj me një dekret presidencial.“ – Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump (78), në
ShkoLartë