​Kosova e udhëhequr me ushtrues detyre

September 13, 2024
min lexim

Për më shumë se tri vite të qeverisje Kurti 2, shumë institucione të rëndësishme për vendin po vazhdojnë të drejtohen me ushtrues detyre. Për këtë, kritika ndaj Qeverisë kanë adresouar partitë opozitare dhe shoqëria civile.

Kryeprokurori i Shtetit, ndërmarrja publike “Trepça”, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Agjencia për Menaxhim Emergjent, Instituti i Mjekësisë Ligjore, e shumë agjencione dhe ndërmarrje të tjera publike po udhëhiqen nga ushtrues detyre.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj deklaroi se ekzekutivi i ka dëmtuar institucionet e Kosovës duke i lënë të udhëhiqen me ushtrues detyre.

Sipas Qalajt, edhe kjo qeveri duhet sa më shpejt të jetë me ushtrues detyre.

Qalaj: Qeveria i ka dëmtuar institucionet duke i lënë me ushtrues detyre

“Qeveria e Kosovës ka arritur me instalua dhe mendoj që është shumë e dëmshme për institucionet e Kosovës. Ushtrimi i detyrës për një kohë të gjatë fillimisht është i kundërligjshëm dhe e dyta personi i cili është me ushtrues detyre nuk i jep të gjitha autorizimet për punën e tij në ato institucione. Dhe duke pas parasysh që shumica e institucioneve të rëndësishme, duke filluar nga kryeprokurori i shtetit e tutje janë me ushtrues, mendoj që sa më shpejt edhe kjo qeveri të jetë me ushtrues detyre dhe ta zëvendësoj me një qeveri tjetër për shkak se është duke bërë dëm shumë institucioneve, është duke shkatërruar shumicën e institucioneve dhe është duke tentuar t’i dëmtoj ato, sidomos tani që është edhe koha e zgjedhjeve, po e shoh dhe po e vërej që numri i institucioneve me ushtrues detyre po rritet”, tha ai.

Deputeti tjetër opozitar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti shprehet se Qeveria Kurti po i lë pozitat kyçe të institucioneve me ushtrues detyre me qëllim të interferojë politikisht në punën e tyre.

Hoti: Qeveria po e përdorë UD për të interferuar politikisht

“Duke filluar prej organeve të drejtësisë, nëpër agjencione të ndryshme, mendoj se kjo është një formë për të interferuar politikisht në punën e atyre institucioneve, shumë prej tyre të pavarura në aspektin kushtetues”, thotë Hoti.

Mendim të njëjtë ka edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi( IKD), Ehat Miftaraj, i cili nënvizoi se kjo qeveri po e vazhdon avazin e qeverisjeve të kaluar sa i përket pozitave që ushtrohen me ushtrues detyre.

Miftaraj vlerëson se kjo praktikë po përdoret me qëllim të kontrollimit më të lehtë nga ana e ekzekutivit ndaj këtyre ndërmarrjeve dhe agjencive shtetërore.

Miftaraj: Pozita me ushtrues detyre për kontroll nga pushteti

“Edhe kjo qeveri po vazhdon avazin e qeverive të kaluara nëse marrim shembull drejtorin e njësisë së inteligjencës financiare, është me ushtrues detyre prej që ka ardhur kjo qeveri 4, 3 vite me ushtrues detyre ka edhe shumë e shumë pozita të tjera. Kjo do të thotë e ka vetëm një qëllim të vetëm që personat që janë të caktuar në këto pozita janë më lehtë të kontrollueshëm…Është mënyrë e mirë e kontrollimit dhe nuk ka shumë kërkesa për të arritur rezultate, performancë të këtyre personave sepse këta janë ushtrues detyre, mund të qëndrojnë 6 muaj, 1 vit dhe pas 1 viti, mund të ndërrohen. Por, pastaj kur qeveria me mosveprim ua zgjat mandatin me 3 e 4 vite”, thekson Miftaraj.

Ushtrimi i pozitave udhëheqëse me ushtrues detyre po kritikohet edhe nga njohësit e ekonomisë. Konsiderohet se si rezultat i kësaj politike po mungojnë edhe sukseset, sidomos në ndërmarrjet publike.

Analisti i çështjeve ekonomike, Adem Qorolli theksoi se institucionet e vendit po i përdorin si trampolinë fuqinë politike të tyre në sistemin e bordeve.

Qorolli: Në krye të bordeve nuk vendosën njerëz adekuat

“Institucionet e vendit po i përdorin si trampolinë fuqinë politike të tyre në sistemin e bordeve. Kjo politikë është përdorur nga viti 2000 dhe nuk është ndërprerë më dhe ky është suksesi maksimal i ndërmarrjeve publike, ku gjithmonë sukseset i kanë bartur në donacionet e shtetit apo subvencionet shtetërore sepse nuk ia kanë arritur t’i mbijetojnë me politika. Kurse, gabimi i dytë është me ushtrues detyre ku çdo ndërmarrje publike në Kosovë, është duke e shkelur pjesën ligjore”, deklaroi Qorolli.

Qorolli ka këshilluar që politika sa më shpejt të heqë dorë nga emërimet politike, sidomos në ndërmarrjet ekonomike të vendit.

Qorolli: Politika sa më shpejt të heqë dorë nga emërimet në ndërmarrjet publike

“Ngopja e dëshirave të tyre apo rehatia e personave politik janë pasqyrimi më i mirë i bordeve. Suksesi i institucioneve shihet në ndërmarrjet publike dhe këtë fat e kanë pasur qysh më herët dhe tashmë po shfrytëzohet edhe tash. …Sa më shpejt që institucionet heqin dorë nga institucionet politike aq më shpejt do të kemi edhe sukseset në ndërmarrjet publike…Shkaktari është politik që nuk e lë atë ndërmarrje të merr frymë nga personat adekuat , ose edhe nëse është personi adekuat e lë si ushtrues detyre që ta mbaj pezull në mbushjen e apetiteve politike me njerëz që ka aty që ta mbush ndërmarrje me militant apo akterë politik”, theksoi ai. 

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pse e premtja e 13-të konsiderohet si “e mallkuar”?

Story i radhës

240 oficerë në shkollat e vendit, Rama: Do jenë syri e veshi i prindërve

Të fundit nga

ShkoLartë