Koreja e Jugut akuzoi të enjten shërbimin kineze të inteligjencës artificiale (AI) DeepSeek për transferimin e informacionit të përdoruesve koreanë në disa kompani në Kinë dhe SHBA “pa leje”, tha organi shtetëror për mbrojtjen e të dhënave, sipas agjencisë turke të lajmeve AA.
Komisioni i Mbrojtjes së Informacionit Personal akuzoi DeepSeek për transferimin e informacionit personal në tre kompani në Kinë dhe një në SHBA para datës 15 shkurt, kur shërbimi u pezullua në Kore të Jugut, sipas lajmeve nga Yonhap News me seli në Seul, përcjell KosovaPress.
Po ashtu, mbikëqyrësi koreanojugor gjeti se përmbajtja që përdoruesit futën në komanda të DeepSeek – për të gjeneruar përgjigje përmes shërbimit të AI-së – u nda me një kompani kineze.
DeepSeek, e cila ka pezulluar përkohësisht operacionet në Kore të Jugut për shkak të një polemike të rritur rreth praktikave të saj të të dhënave, publikoi politikën e saj të informacionit në gjuhën kineze dhe angleze. Komisioni tha se kjo politikë nuk përshkruante procedurat për shkatërrimin e të dhënave personale dhe nuk kishte detaje mbi masat e sigurisë.
Sipas komisionit, DeepSeek pranoi se kishte transferuar të dhënat e përdoruesve në një kompani të quajtur Volcano pa marrë miratimin e përdoruesve. Kompania tha se kishte përdorur shërbimin e saj në ‘re’ për të adresuar dobësitë e sigurisë dhe për të përmirësuar ndërfaqen e përdoruesit.
Mbikëqyrësi shtoi se shërbimi kinez bllokoi transferimet e reja duke filluar nga data 10 prill, pasi komisioni tha se transferimi i informacionit të futur nga përdoruesit në komanda të DeepSeek ishte i panevojshëm.
Në përgjigje të akuzave, Ministria e Jashtme kineze tha se qeveria “i jep rëndësi të lartë privatësisë dhe sigurisë së të dhënave dhe mbron me rigorozitet masat ligjore në këtë fushë”.
“Ne nuk kemi kërkuar – dhe nuk do të kërkojmë kurrë – që kompani ose individë të mbledhin ose ruajnë të dhëna nëpërmjet mënyrave të paligjshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun, për gazetarët në Pekin.
“Kina është gjithmonë kundër shtrirjes së tepërt të koncepteve të sigurisë kombëtare dhe politizimit të çështjeve ekonomike, tregtare dhe teknologjike”, shtoi Guo, duke theksuar se Pekini “do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të ndërmarrjeve të saj”.
Burimi: botasot.info