Një anije cisternë, brenda së cilës ndodhej një sasi prej 2275 tonë naftë e cilësisë B2 dhe që vinte nga Libia, u sekuestrua të martën nga Policia e Durrësit.
Operacioni i koduar “Ring” përfundoi me arrestimin e katër personave, tre prej të cilëve nga Libia përfshirë edhe kapitenin, ndërsa i katërti nga Siria. Gjashtë persona të tjerë, po nga Libia janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
DËSHMIA
Gjatë dëshmisë së tij, Zuhair Alkwafi, kapiteni i anijes, shprehet i habitur për arrestimin, duke deklaruar se kishte transportuar edhe dy herë të tjera naftë në Shqipëri, çka do të thotë se nafta ka hyrë kontrabandë në vendin tonë.
“Jemi të habitur nga kjo që po na ndodh. Ne jemi transportues të rregullt dhe punojmë për kompani të ndryshme që porosisin hidrokarbure. Këtë radhë kompania që e kishte porositur nuk e pranoi ngarkesën dhe në ketë moment erdhi kapitaneria dhe struktura të tjera duke bërë veprimet. Ne jemi konform të gjitha rregullave, nuk bëjmë kontrabandë. Ne funksionojmë në këtë mënyrë: kompania porosit sasinë, e ngarkojmë në vendin ku kemi për ta marrë dhe e transportojmë drejt vendit pritës.
Kompania pritëse paguan vetëm pasi ka marrë ngarkesën dhe e ka magazinuar. Në këtë rast, kompania pritëse nuk e pranoi ngarkesën. Arsyen nuk e di. Në këto kushte ne duhet të ktheheshim sërish në bazë në pritje të porosive të tjera dhe orientimit që do merrnim nga pronarët. Por papritur erdhi kapitaneria, rojet bregdetare etj. dhe më pas edhe policia. Na arrestuan pa asnjë arsye. Ne jemi të pafajshëm sepse kështu funksionon transporti i hidrokarbureve.
Ne kemi ardhur edhe herë të tjera në Shqipëri dhe s’kemi pasur asnjë problem. Këtë radhë nuk e di pse nuk e pranuan ngarkesën që kishin porositur. Para se të vinim në Shqipëri, ne kemi lajmëruar 48 orë përpara kompaninë dhe kapitanerinë shqiptare konform të gjitha rregullave.
Nëse do bënim kontrabandë, do ta lajmëronim kapitenerinë?! Ne erdhëm në Durrës dhe ishim në pritje të dorëzonim mallin. Papritur na mori pronari i kompanisë dhe na tha se do prisni pasi kompania shqiptare kishte kërkuar ulje çmimi. S’kishin rënë dakord për çmimin, edhe pse paraprakisht kompanitë ishin dakordësuar. Naftën e ngarkuam në portin e Bengazit në Libi. Atje furnizohemi gjithmonë”, mësohet të ketë deklaruar ai.
THYERJA E REZOLUTËS SË OKB-SË
Ashtu sikurse iu kemi bërë me dije një ditë më parë, sasia e madhe e naftës është ngarkuar në Bengazi të Libisë, një zonë e kontrolluar nga rebelët atje dhe të sanksionuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Këshilli i Sigurimit ka zgjatur afatin e masave kundër eksportit të paligjshëm të produkteve të naftës nga Libia, përveç ekspertëve që ndihmojnë në mbikëqyrjen e tyre, ndërkohë që shprehën shqetësimin për shkeljen e vazhdueshme të embargos së armëve të vendosur në vend duke kërkuar respektimin e saj. Duke miratuar njëzëri rezolutën 2644 (2022) që do të lëshohet si dokument, këshilli prej 15 anëtarësh duke vepruar sipas Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, vendosi të zgjasë afatin e masave të vendosura më parë kundër eksportit të paligjshëm të naftës së papërpunuar dhe produkteve të tjera të naftës nga Libia deri më 30 tetor 2023.
Duke shprehur shqetësimin serioz për shkeljen e vazhdueshme të embargos së vendosur në shkurt të vitit 2011, Këshilli kërkoi dakordësi të plotë nga të gjitha shtetet anëtare ndërkohë që i bëri thirrje të mos ndërhyjnë në konfliktin në shtetin e Afrikës Veriore. Këshilli u bëri thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e armëpushimit të nënshkruar në Gjenevë më 23 tetor të vitit 2020 dhe u kërkoi shteteve anëtare të respektojnë dhe mbështesim një vendim të tillë, duke përfshirë këtu edhe tërheqjen e menjëhershme të të gjitha forcave të huaja dhe mercenarëve nga Libia.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare t’i raportojnë Komitetit të Këshillit të Sigurimit të krijuar në përputhje me rezolutën 1970 (2011) në lidhje me Libinë, pet veprimet që kanë ndërmarrë për të zbatuar në mënyrë efektive masat e ndalimit të udhëtimit dhe ngrirjes së aseteve në lidhje me të gjithë individët në listën e sanksioneve. Përmes rezolutës, Këshilli gjithashtu rinovoi mandatin e Panelit të Ekspertëve që ndihmon Komitetin deri më 15 nëntor 2023 dhe vendosi që Paneli të dorëzojë një raport të ndërmjetëm për punën e tij jo më vonë se 15 mars 2023, që do të pasohet nga një raport përfundimtar jo më vonë se në datë 15 shtator 2023 me gjetjet dhe rekomandimet e tij.
Në lidhje me këtë, ai u bëri thirrje të gjitha palëve dhe shteteve që të garantojnë sigurinë e anëtarëve të Panelit dhe të ofrojnë qasje të papenguar dhe të menjëhershme, në veçanti personave dhe vendeve që Paneli i konsideron të rëndësishme për ekzekutimin e mandatit të tij. Në të njëjtën kohë, edhe Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurisë.
PIKËPYETJET MBI KONTRABANDËN
Ndërsa në aksionin për sekuestrimin e naftës është përfshirë vetëm policia e Durrësit dhe jo njësia e antikontrabandës, disa pyetje vijnë natyrshëm; kush është porositësi i naftës kontrabandë që do të depozitohej në cisterna në Durrës? Cila është kompania shqiptare që theu embargon e vendosur ndaj Libisë nga ana e Këshillit të Sigurisë së OKB-së?
Nga dëshmia e kapitenit të anijes, rezulton të kenë ardhur edhe dy ngarkesa të tjera, kush i mori ato? Përse institucionet heshtën në dy rastet e para, kur ende ishte në fuqi Rezoluta e Këshillit të Sigurisë për embargon e naftës dhe produkteve të tjera me Libinë? A janë në dijeni institucionet shqiptare e cila kompani është furnizuar me këtë naftë kontrabandë, e cila blihet me një çmim fare të lirë në Libi dhe e ka pasur ndonjë për të vënë para përgjegjësisë kompanitë përkatëse?