Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kritikuar qeverisjen komunale në Prishtinë për menaxhim jo të duhur të gjendjes me mbeturina dhe mos shpërndarjen e kontejnerëve të ri duke thënë se kjo paraqet tendencë që ata përmes tenderit t’iu ndahen kompanive të caktuara.
Anëtarja e Kuvendit të Prishtinës nga PDK-ja, Gresa Lahu, në një konferencë të përbashkët për media me asamblistin Granit Gecin, akuzuan kryetarin Përparim Rama për gjendjen e krijuar me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Situata e krijuar me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, çdo ditë e më shumë po bëhet e papërballueshme dhe njëkohësisht edhe e rrezikshme. Qytetarët tanë po ballafaqohen me mungesë të shërbimeve të duhura në grumbullimin e mbeturinave, për shkak të kushteve minimale me mekanizma veprues siç janë kamionët dhe kontejnerët. Fatkeqësia e kësaj gjendjeje të krijuar lidhet direkt me qeverisjen e kryetarit Rama, qeverisje kjo që mendjen e ka në procedurat e tenderimit të një kompanie private me vlerë rreth 16.5 milionë eurosh, tender ky tashmë i shpallur dhe afër finalizimit të procedurave të prokurimit. Me publikimin e këtij tenderi, kryetari Rama rrezikon seriozisht humbjen e grantit me vlerë mbi 70 milionë eurosh, grant ky që jep siguri, stabilitet financiar dhe infrastrukturor me një periudhë prej së paku 10 vjetësh”, tha Lahu.
Ajo tha se kryetari Rama se bashkë me drejtorin e Shërbimeve publike Bekim Brestovci do t’i dëmtojnë rreth 900 punëtorë të “Pastrimit”, duke i lënë ata të pa punë dhe drejt falimentimit të ndërmarrjes.
Asamblisti Granit Geci tha se mos përkrahja e Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes publike “Pastrimi” është e qëllimshme.
“Mungesa e vullnetit dhe mbështetjes së Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes publike “Pastrimi”, e cila po operon në kushte shumë të vështira pa kamionë e pa kontejnerë, është e qëllimshme dhe dashakeqëse. Është një përpjekje e komunës që ta mundësojë sa më lehtë dhe sa më shpejt përfshirjen e kundër ligjshme të operatorit privat në këtë veprimtari publike… Për të faktuar këtë tendencë ua bëjmë të ditur të gjithë qytetarëve të Prishtinës, se qeverisja e tanishme komunale nuk po e bën shpërndarjen e kontejnerëve ekzistues, të cilët tash e disa muaj po mbahen të mbyllur diku në periferi të kryeqytetit dhe si tendencë është që me tenderimin që do t’i jepet operatorit privat, ajo kompani të favorizohet me kontejnerë të ri, me kamion të ri të cilët tash e një vit janë në procedura të blerjes nga Komuna e Prishtinës”, tha Geci.
Dy anëtarët e kuvendit komunal treguan se më datë 5 dhjetor do të thirrin një seancë të jashtëzakonshme komunale në lidhje me këtë çështje.
Burimi: botasot.info