Një konstruksion i një dritare në shkollën e sapondërtuar të Vizbegut ka rënë mbi një punëtore të higjienës, përcjell TV21. E për këtë, kryetari i komunës së Butelit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Darko Kosotovski fajin po e hedh te qeveria e kaluar, thonë se shkolla është ndërtuar pa standarde.
“Si kryetar i komunës së Butelit, dua të theksoj një problem që paraqet rrezik për nxënësit e komunës sonë. Shkolla fillore në Vizbeg, e cila është ndërtuar vitin e kaluar në periudhën kur Ministrinë e Arsimit e udhëhiqte një ministër nga radhët e BDI-së, është në gjendje të keqe! Gjatë ditës së djeshme ka ndodhur një ngjarje fatkeqe, konstruksioni i plotë i një dritareje me peshë mbi 50 kg ka rënë mbi një punëtore të higjienës, e cili për fat nuk ka mbetur e lënduar. Përveç faktit të deklaruar, në ndërtimin e shkollës janë evidente edhe mangësi të tjera, të cilat mund të jenë rrezik potencial. Drejtori i shkollës menjëherë dhe zyrtarisht do të reagojë deri te MASH, për të informuar autoritetet për këto probleme serioze nga Qeveria e kaluar. Është duke u shqyrtuar mundësia e kallëzimit penal ndaj personave të përfshirë drejtpërdrejt në procesin e ndërtimit, kontraktorit dhe mbikëqyrësit që e ka nënshkruar këtë ndërtim. Sigurisht, edhe për të gjetur mënyrë për të ndikuar në sigurinë e nxënësve që mësojnë në shkollë”, ka shkruar Kostovski.
Burimi: tv21