Hapja e konkursit për një ekonomist në QKMF-në e Lipjanit, u përcoll me shumë kritika nga opozita atje.
Përzgjedhja e Alban Bytyqit si më i miri nga kandidatët në konkursin e hapur më 23 qershor të këtij viti, po vlerësohet si nepotizëm pasi, sipas Partisë Demokratike të Kosovës, ai është në lidhje miqësie dhe partiake me drejtorin e Shëndetësisë në Lipjan.
“Këtu kemi të bëjmë me konkursin në shëndetësinë në komunën e Lipjanit për një ekonomist, ku pranohet familjari i drejtorit të shëndetësisë, gjegjësisht një personi që ka lidhje miqësore dhe familjare”, ka thënë kryetari idegës së PDK-së në Lipjan, Hyzer Rizani.
Sipas Rizanit, kjo ka shkaktuar dëshpërim tek qytetarët atje, por pavarësisht denoncimeve, s’ka lëvizje nga organet e rendit.
“Nuk është rasti i parë, kemi mbi dhjetëra raste kur kemi denoncuar në organet e prokurorisë dhe sikur rastet tjera edhe ky do të jetë i denoncuar. Nga këtu bëjmë thirrjë prokurorisë, institucioneve gjegjëse që të kenë parasysh këto konkurse të kurdisura”, deklaroi ai.
Televizioni tentoi të kontaktojë me vetë Bytyqin, por ai ishte i pa-qasshëm, njësoj sikurse kryetari i Komunës dhe drejtori i Shëndetësisë.
Akuzat e PDK-së i mohoi zëdhënësja e Komunës, Hera Bytyqi.
“Komisioni i ka përfillur të gjitha procedurat e rekrutimit. Personi që ka apliku i ka përmbush të gjitha kriteret, i ka marr pikët e nevojshme deh është pranu”, tha Bytyqi.
Momentalisht rasti është në procedurat e ankimimit.