Konjufca në Shkup: As rajoni ynë nuk është krejtësisht imun prej influencave të Rusisë

December 12, 2022
min lexim

Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, qëndron për vizitë zyrtare në Shkup ku është pritur nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, raporton Anadolu Agency (AA).

Xhaferi dhe Konjufca bashkë me delegacionet fillimisht zhvilluan një takim dypalësh, ndërsa më pas u zhvillua një konferencë e përbashkët për media e dy kryeparlamentarëve.

Në fjalimin e tij, Xhaferi u shpreh se homologu i tij Konjufca është në vizitë kthyese në Maqedoninë e Veriut pas vizitës së tij të zhvilluar në mars.

Ai përshëndeti bashkëpunimin e Kuvendeve të të dyja vendeve, duke theksuar se janë formuar Grupet Parlamentare të Miqësisë.

Xhaferi theksoi se dy vendet ndajnë qëllime strategjike të njëjta, duke komentuar gjithashtu edhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“Në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd, qëndrimi ynë është i njëjtë si edhe më parë, mbështetje e plotë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, të pranueshme për të dyja palët, marrëveshje me të cilën do të garantohet paqja, stabiliteti, siguria dhe përparimi i të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi”, tha Xhaferi.

“As rajoni ynë nuk është krejtësisht imun prej influencave të Rusisë”

Nga ana tjetër, Konjufca tha se me Xhaferin ka zhvilluar takim miqësor, duke shtuar se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shembull adekuat i një fqinjësie të mirë.

Ai gjithashtu tha se dy vendet ndajnë qëllime të përbashkëta gjeopolitike, duke theksuar se atë që e synon Maqedonia e Veriut, e synon edhe Kosova. Gjithashtu, ai tha se dy vendet kanë qëndrim të njëjtë edhe sa i përket luftës në Ukrainë, duke dënuar agresionin të padrejtë dhe të paprovokuar të Federatës Ruse.

“As rajoni ynë nuk është krejtësisht imun prej influencave të Rusisë. Kjo vërehet sidomos në këto veprime të ditëve të fundit që po i shohim nga ana e Serbisë në Kosovë. Këto veprime të Serbisë janë të papranueshme, ato e kanë qëllim destabilizimin e Kosovës dhe ndarjen de-fakto të shtetit të Kosovës”, tha Konjufca.

Ai theksoi se Kosova është e përcaktuar për dialog, dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë, duke theksuar se është e qartë se një normalizim i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë e ka si parakusht çështjen e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, u shpreh se qëllimi i Serbisë, përmes përkrahjes së “grupeve kriminale” në veri të Kosovës, është destabilizimi jo vetëm i Kosovës, por i tërë rajonit.

Konjufca komentoi gjithashtu propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se në muajin shtator, përfaqësuesit e BE-së ia kanë dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një plan, i cili sipas tij, e ka kuptimin e kapitullit të fundit të arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ky plan në bërthamën e vet, në qendër të vet, e ka njohjen de-fakto të Kosovës nga ana e Serbisë. Unë edhe këto veprime tash të fundit që po i bën Serbia, i shoh të lidhura me këto procese politike, sepse qëllimi i këtyre veprimeve që i shohim, është që ta pamundësojnë hapjen e këtij kapitulli përfundimtar”, tha Konjufca.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Taravari vizitoi transportuesit privat

Story i radhës

​Mbi 11 mijë vizita ambulantore në Klinikën e Endokrinologjisë në periudhën janar-nëntor

Të fundit nga

Përse macet flenë dy të tretat e jetës?

Jeta e maceve shtëpiake përbëhet nga katër aktivitete – loja, gjuetia, ngrënia dhe gjumi. Pasi kanë prejardhjen nga macet e egra, kjo në ambient të hapur ka plotësisht kuptim, sepse janë grabitqare
ShkoLartë