Të paktën 40 mijë njerëz u zhvendosën si pasojë e konflikteve fisnore që shpërthyen në provincën e Nilit të Epërm në Sudanin e Jugut, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacionit që AA ka siguruar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), përleshjet mes fiseve të armatosura në provincën e Nilit të Epërm më 17 nëntor dhe 9 dhjetor detyruan të shpërngulen 40 mijë civilë.
Koordinatori i Përkohshëm Çështjeve Humanitare i OKB-së në Sudanin e Jugut, Peter Van der Auweraert, deklaroi se ata po përpiqen t’u ofrojnë ndihmë të zhvendosurve me mjete të kufizuara dhe se përveç ushqimit, ujit dhe materialeve higjienike nevojitet edhe mbështetje psikosociale.
Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) deklaroi se 75 për qind e atyre që ikin nga dhuna janë gra dhe fëmijë, dhe mijëra njerëz kanë kaluar në Sudan.
Sudani i Jugut, i cili shpalli pavarësinë nga Sudani në vitin 2011, u përfshi në luftë civile pasi presidenti Salva Kiir Mayardit shkarkoi zëvendësin e tij Riek Machar më 16 dhjetor 2013 për “tentativë për grusht shteti”.
Edhe pse palët nënshkruan marrëveshjen për paqe në vitin 2018 pas vitesh lufte, dhuna vazhdon mes fiseve dhe grupeve të ndryshme në vend, ku rendi dhe siguria publike nuk mund të sigurohet.