Komunës së Likovës i takojnë diku rreth 900 mijë euro dhe ka ka aplikuar me tre projekte në thirrjen publike të Qeverisë për ndihmë financiare për komunat, tregoi kryetari i Likovës, Erkan Arifi në Daily Click të TV21. Por sipas tij metodologjia nuk është në rregull ngaqë komunat urbane me sipërfaqe të vogël, marrin më shumë mjete, se sa një komunë rurale siç është Likova, me 280 km2.
Me projekte kanë aplikuar të gjitha 90 komunat e vendit. Mes tyre edhe ajo e Tetovës, kryetari i së cilës Bilall Kasami tha se i duhen më shumë mjete sepse gjatë kohë nuk është investuar në projekte kapitale. Akuzon përbërjen paraprake komunale se nuk i ka shfrytëzuar mjetet siç duhet.
Në proces është vlerësimi i projekteve që komunat i kanë dorëzuar. Nga ana tjetër, ministri për Vetëqeverisje lokale Zllatko Perinski, paralajmëroi digjitalizim të të gjitha komunave. Kjo do të ndihmoj në mbledhjen e taksave të pronës dhe ato komunale, sepse sipas tij, ka komuna që nuk kanë mbledhur fare taksa.
Perinski tha se si ministri kanë vënë si qëllim që deri në fund të 2026-tës të gjitha komunat të bëhen pjesë e “e-portalit”, ku do të ofrojnë pakot e shërbimeve që i kanë për qytetarët. Këto ai i tha në Forumin “Strategjitë për Bashkëpunim në Mobilizimin e Qëndrueshëm të Burimeve dhe Decentralizimin”.
Burimi: tv21