Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të martën do të fillojnë punimet për ndërtimin e një rrethrrotullimi në ish-zonën industriale, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të automjeteve.
“Ju njoftojmë se në kuadër të projektit për ndërtimin e rrethrrotullimit në udhëkryqin ndërmjet rrugës “Ekrem Rexha – Tirana” dhe rrugës “Ramadan Bush” (nga KFORI Turk), më 08 prill 2025 (e martë) do të fillojnë punimet ndërtimore”, thuhet në njoftim.
Aty është sqaruar se në këtë mënyrë synohet organizimi më efikas i trafikut rrugor.
“Ky rrethrrotullim është projektuar me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, lehtësimit të qarkullimit dhe organizimit më efikas të trafikut në këtë zonë. Po ashtu, ndërtimi i këtij rrethrrotullimi ka për qëllim të ndihmojë në shkarkimin e rrethrrotullimit ekzistues te ish “Bellona”, duke ofruar një rrjedhë alternative për qarkullimin e automjeteve dhe duke reduktuar ngarkesën në atë pikë të rënduar të komunikacionit”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë është kërkuar shmangia e përkohshme e lëvizjeve në këtë aks rrugor, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe mbarëvajtjes së punimeve.
Burimi: botasot.info