Komuna e Obiliqit është ankuar se ndotja e ajrit dhe e mjedisit është shndërruar në mesin e faktorëve kryesorë të shkurtimit të jetës të banorëve, duke thënë se shumë qytetarë po përballen me probleme shëndetësore.
Përmes një postimi në Facebook, Komuna ka shkruar se ndotja e ajrit ka dalë jashtë përmasave normale, me ç’rast kanë akuzuar Korporatën Energjetike të Kosovës, që s’kanë ndërmarrë asgjë.
“Që nga data 20.08.2024 deri më datën 15.09.2024, filtrat brenda Kosovës B kanë qenë jashtë funksionit dhe gjendja në Termocentralin ‘Kosova B’ ka pasur tejkalime enorme, për çka ka pasur raportime në media e rrjetet sociale. Nga deklarimet e qytetarëve gjatë këtyre ditëve, ajri në Obiliq ka arritur nivele shumë të larta të ndotjes. Po ashtu, pranë këtij termocentrali ishte krijuar zhurmë e cila është e padurueshme për banorët, kryesisht në orët e mbrëmjes. Gjatë tërë kësaj periudhe kemi reaguar dhe kemi kërkuar nga Korporata Energjetike e Kosovës të ofrojë të dhëna (raportojë) për gjendjen. Kemi kërkuar një raport të detajuar për TC A dhe TC B për datat e lartpërmendura, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Edhe sot kemi pasur një situatë të ngjashme në qytetin e Obiliqit, ku ndotja e ajrit ka qenë jashtë të gjitha përmasave normale”, thuhet në reagim.
Tutje, Komuna e Obiliqit ka shtuar se në dy vitet e fundit s’është realizuar asnjë projekt i dedikuar për uljen e ndotjes së ajrit.
“Ndotja e mjedisit është kthyer në një ndër faktorët kryesorë për shkurtimin e jetës së banorëve të Obiliqit. Është i madh numri i personave që u drejtohen klinikave për probleme të shumta, të shkaktuara nga tymrat apo gazrat që lëshohen çdo ditë në atmosferë. Një nga sëmundjet kryesore që sjell ndotja është tumori i mushkërive, i cili në shumicën e rasteve është vdekjeprurës. Raportimet ditore gjatë vitit 2023 tregojnë se sëmundjet e traktit respirator kanë arritur në 17,912 raste, ndërsa sëmundjet e qarkullimit të gjakut në 7,355 raste. Në Komunën e Obiliqit, mesatarisht çdo vit kemi 50 raste të reja me sëmundje kancerogjene (dg carcinoma). Ndërsa vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2024 janë realizuar 876 vizita shtëpiake te personat me sëmundje malinje (kancerogjene)”, thuhet tutje në reagim.
Burimi: botasot.info