Kuvendi Komunal i Deçanit sot njëzëri miratoi deklarata përmes së cilës mbështetet kërkesa të cilën Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës, që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Përveç miratimit të kërkesës për simbolin unik, në seancën e sotme u mbajt një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të gjenocidit.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” falënderoi Kryetarin e Komunës, Bashkim Ramosaj për angazhimin e tij për mbështetjen e kërkesës dhe të gjithë asamblistët e Komunës së Deçanit që e përkrahën në mënyrë unanime që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj me këtë rast tha se i japin përkrahjen e plotë kërkesës së Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i gjenocidit në Kosovë dhe të bashkohemi rreth kësaj plage të madhe që kullon gjak, lot dhe dhembje me shpresë që Serbia të jep llogari për krimin monstruoz që ka kryer kundër shqiptarëve.
“Nuanca e ngjyrës së kuqe në simbolin për gjenocidin në Kosovë është nuancë e ngjyrës së kuqe të flamurit tonë kombëtar. Në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në simbolin tonë janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive që ishin viktima të këtij gjenocidi. Për dallim nga petalet e lulëkuqeve-simbol të vendeve të tjera, që nuk janë të specifikuara, katër petalet e lulëkuqes tonë paraqesin katër forma të akteve gjenocidare, që Serbia e zbatoi gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.